2014-11-24 12:01:55

Françesku: Kisha duhet të jetë e varfër e të krenohet për Zotin, jo për veten


Kur Kisha është e përvuajtur dhe e varfër, atëherë është besnike ndaj Krishtit, përndryshe tundohet të ndriçojë me dritën e vet, në vend që t’i japë botës dritën e Hyjit. E pohoi Papa gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në mëngjes, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.RealAudioMP3

Të japësh shumë e publikisht, sepse është një pasuri, që ushqehet me mburrje e kënaqet me kotësi. E të japësh atë pak që ke, pa tërhequr vëmendjen e askujt, veç Zotit, sepse është ai gjithemira, në të cilën mbështeten shpresat. Në episodin ungjillor të vejushës që, para syve të Jezusit, lë në thesarin e Tempullit gjithçka kishte mbas shpirtit, ndërsa pasanikët kishin lënë shuma të mëdha nga tepricat e parave të fituara, Françesku shikon dy prirje, të gjithëpranishme në historinë e Kishës. Kishën e tunduar nga kotësia e kotësive e Kishën e varfër që, pohoi, nuk duhet të ketë tjetër pasuri, veç Dhëndrit të vet, si gruaja e përvuajtur e Tempullit:
Më pëlqen të shikoj në këtë figurë vetë Kishën që, në një farë mënyre, është e vejë, sepse në pritje të Dhëndrit, që do të kthehet… Ndonëse e ka në Eukaristi, në Fjalën e Zotit, në të varfrit. Gjithsesi, pret t’i kthehet, apo jo? Kjo është sjellja e Kishës… Kjo vejushë nuk kishte pikë rëndësie. Emri i saj nuk dukej kurrë në gazeta. S’e njihte askush. Nuk kishte doktorata, s’kishte gjë prej gjëje. Nuk ndriçohej nga drita e vet. E pikërisht kjo më nxit të shikoj në këtë grua, figurën e Kishës. Kisha duhet të ketë virtytin e madh të mos shkëlqejë nga drita e vet, por nga drita, që vjen prej Dhëndrit të saj. E, në rrjedhë shekujsh, kur Kisha ka dashur të ketë dritën e vet, ka gabuar gjithnjë”.
Është e vërtetë, pranoi Papa, se nganjëherë Zoti mund t’i kërkojë Kishës së vet ta ketë pakëz dritë të vetën, por kur e themi këtë, nënkuptojmë se misioni i Kishës është të ndriçojë njerëzimin, prej këndej, drita e cila dhurohet, duhet të jetë vetëm ajo, që merret nga Krishti, e me shumë përvujtëri:
“Të gjitha shërbesat që bëjmë në Kishë, janë për të ndihmuar në këtë drejtim, për të marrë këtë dritë. E shërbesa, pa këtë dritë, nuk është e mbarë: e bën Kishën o të pasur, o të pushtetshme, o në kërkim të pushtetit, ose e çon në rrugë të gabuar, si ka ndodhur shumë herë në histori e si ndodh në jetët tona, kur ne duam të kemi një dritë tjetër, që nuk është ajo e Zotit: dritën e vetvetes”.
Kur Kisha beson në shpresën e në Dhëndrin e saj, vijoi Papa, është gëzim ta marrësh dritën prej Tij, të jesh, në këtë kuptim, ‘vejusha’, në pritje, si hëna në pritje të çastit kur shkrep dielli:
Kur Kisha është e përvuajtur, kur Kisha është e varfër, e edhe kur Kisha rrëfen mjerimet e veta – sepse të gjithë i kemi – Kisha është besnike. Kisha thotë: ‘Po, unë jam e errët, e drita më vjen prej andej!’. E kjo na bën shumë mirë. Siç na bën mirë ta lusin vejushën, që me siguri është në Qiell, ta lusim, pra, vejushën të na mësojë të jemi kësisoj Kishe, që flak nga jeta gjithçka ka, pa mbajtur asgjë për vete. Gjithçka për Zotin e për të afërmin. Përvujtërisht. Pa u mburrur se kemi dritën tonë, në kërkim të përhershëm të dritës, që vjen nga Zoti”.










All the contents on this site are copyrighted ©.