2014-11-23 12:55:38

Shenjtorët e javës


Sot e diel 23 nëntor, Kisha kremton të dielën e 34-të e të fundit të kohës liturgjike gjatë vitit kishtar, të cilën ia kushton solemnitetit të Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i Gjithësisë.
Liturgjia na fton të reflektojmë për Mbretërinë e Zotit, që është e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.
Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar sundon, shëlbon gjithësinë dhe çdo njeri. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit na ka dhënë të gjithëve jeta e amshuar duke na mundësuar pjesëmarrjen në Mbretërinë e Tij Hyjnore.

Të hënë, më 24 nëntor, bie përkujtimi i Shën Dung- Lak, meshtar e shokët e tij martirë.
Liturgjia e ditës na kujton këtë lutje: “Në fjalët tua, o Zot, gjej gëzimin tim, sepse je ti streha ime e shpëtimi im”.

Të martën më 25 nëntor, përkujtohet Shën Katerina e Aleksandrisë, virgjër e martire, Shën Moisiu martir, Shën Pjetri i Aleksandrisë ipeshkëv e martir dhe të lumët Luigji e Maria Beltrame Quatroki, bashkëshortë.
Liturgjia na kujtojnë se Hyji i bën pjesëtarë të jetës së vet hyjnore të gjithë ata që vdesin në bashkim me Të.
Të mërkurën më 26 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Siriçin, papë; Shën Leonardin nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe Shën Silvestrin abat, themelues i silvestrinëve.
Liturgjia e ditës na kujton, kështu, se gjërat që i përkasin Zotit duhen respektuar në çdo kohë e, sidomos, duhet respektuar çdo njeri, sepse pikërisht njeriu ka vlerë më shumë se të gjitha thesaret përpara syve të Hyjit.
Të enjten më 27 kalendari kujton Shën Virgjilin, ipeshkëv të Salcburgut.
Liturgjia e ditës na kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit.
Të premten më 28 nëntor, kalendari Kishtar përkujton shën Jakun e Markeve të Italisë, meshtar françeskan.
Në Ungjillin e ditës, Jezusi na mëson të përgatitemi për ta pranuar farën e Jetës Hyjnore. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë njerëzore, nuk i mungojnë njeriut, që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.

Më 28 nëntor 2012 bie përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane më 28 nëntor 1912. Shqipëria e të gjithë shqiptarët kudo në botë janë në festë për këtë Jubile të madh, me mirënjohje nga Zotit dhe të të parëve për këtë dhuratë tejet të çmuar. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë popullin Shqiptar!

Të shtunën më 29 nëntor, më 29 nëntor, kalendari përkujton shën Saturninin martir, i shën Frederikun e të Lumin Dionizi të Lindjes së Krishtit. Liturgjia na kujton thirrjen: Eja o Zot Jezus! T’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon.

Të dielën e ardhshme më 30 nëntor, Kisha fillon Vitin e Ri liturgjik e kremton të dielën e parë të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë. Nis përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht.
Gjithnjë më 30 nëntor kalendari shënon festën e shën Andreut, apostull. Sipas ungjilltarëve, Andreu është i pari i thirrur prej Jezusit, së bashku me të vëllain, Simon Pjetrin. E kujtojmë se shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre, që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.







All the contents on this site are copyrighted ©.