2014-11-21 14:07:24

Papa: Kishat nuk janë kurrë “afariste”, Krishti shëlbon falas


Kishat nuk duhet të shndërrohen kurrë në pazar tregëtie: shëlbimi i Krishtit është gjithnjë falas: këtë theksoi Papa gjatë Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, ditën kur Kisha kremton Paraqitjen e Zojës në Tempullin e Jeruzalemit.
Liturgjia e ditës propozon Ungjillin, në të cilin Jezusi i dëbon tregtarët nga Tempulli, sepse e kanë shndërruar shtëpinë e lutjes në limer hajdutësh. Ky i Jezusit, shpjegoi Papa, është, gjest pastrimi: “Tempulli ishte përlyer e me Tempullin, edhe Populli i Hyjit. Ishte përlyer me mëkatin e rëndë, që është shkandulli. Njerëzit janë të mirë, vërejti Papa, njerëzit shkonin në Tempull, nuk i vinin re këto gjëra; kërkonin Zotin, luteshin… por duhet të këmbenin monedhat, për të dhënë lëmoshë. Populli i Hyjit nuk shkonte në Kishë për këta njerëz, për këta, që shisnin e blinin, shkonte për t’u takuar me Zotin, e atje gjente korrupsionin, që e shkandullonte popullin e Zotit. Papa kujtoi episodin biblik të Anës, gruas së përvuajtur, nënës së Samuelit, që shkon në Tempull për t’i kërkuar Zotit hirin e një biri: pëshpëriste në heshtjen e thellë të Tempullit, lutjet e saj, dalë nga thellësia e zemrës, e ndjekur nga prifti e dy bijtë e tij, të tre të korruptuar, që shfrytëzonin shtegtarët e shkandullonin popullin. Unë mendoj për shkandullin, që mund të shkaktojmë ne tek njerëzit, me sjelljen tonë, nënvizoi Papa Françeseku, me doket tona aspak meshtarake në Tempull: për shkandullin e tregtisë, shkandullin e marrjes me punët e botës… Sa herë vërejmë, duke hyrë në Kishë, edhe sot e kësaj dite, listën e “çmimeve” për pagëzim, bekim, ndjete meshësh. E populli, natyrisht, shkandullohet:
Një herë, i sapo shuguruar meshtar, isha me një grup universitarësh, që donin të martonin një çift të fejuarish. Kishin shkuar në një famulli: po donin ta bënin martesën me Meshë. E aty sekretari i famullisë u tha: ‘Jo, jo, nuk mund të bëhet’ - ‘Po pse s’u bëka me Meshë? Mbasi edhe Koncili këshillon të bëhet gjithnjë me Meshë…’ – ‘Jo, jo, nuk është e mundur, sepse nuk mund të zgjasë më shumë se 20 minuta’. – ‘E po pse?’ – ‘Sepse e kanë radhën të tjerët’. – ‘ Po ne duam Meshën!’. - ‘Atëherë paguani dy turne’. E, për të vënë kurorë me Meshë, iu desh të paguanin dy turne. E ky është mëkat, është shkandull!”.
Papa shtoi: “Ne e dimë ç’ u thotë Jezusi atyre, që bëhen shkak shkandulli: më mirë të hidhen në det”:
Kur ata, që janë në Tempull – meshtar qofshin, laikë a sekretarë, por që drejtojnë punën baritore të Tempullit – bëhen afaristë, bëhen tregtarë, populli shkandullohet. E përgjegjësinë për këtë e kemi ne vetë. Edhe laikët, e? Të gjithë. Sepse po ta shikoj se në famullinë time bëhen gjëra të tilla, duhet të marr guximin t’ia them famullitarit në sy. Mbasi njerëzit vuajnë nga këta shkanduj. Është e çuditshme: ‘Populli i Zotit di t’i falë meshtarët e vet, kur kanë ligështi, kur bien në mëkat… di t’i falë. Veç dy gjëra populli i Zotit nuk t’i fal kurrë: nuk e fal priftin e kapur pas parasë e priftin, që i keqtrajton njerëzit. Nuk ta falë kurrën e kurrës këtë sjellje! Është shkandull, kur Shtëpia, Tempulli, Shtëpia e Zotit, bëhet pazar, si ajo martesa: në një kishë të dhënë me qera!”.
Jezusi nuk është i zemëruar, shpjegoi Papa, është zemërimi i Hyjit, zelli për shtëpinë e Hyjit, që e shtyn të kapë kamxhikun, sepse nuk mund t’u shërbehet dy zotërinjve: “O adhuro Hyjin e gjallë, ose paranë”:
“Po pse Jezusi kapet kaq keqas me paranë? Sepse shëlbimi është falas; sepse ai vjen të na e sjellë falas shëlbimin e Hyjit, sepse shëlbimi është dashuria e plotë e Hyjit, pa asnjë interes. E kur Kisha ose kishat bëhen pazar, atëherë thuhet se. .. eh, thuhet se shëlbimi nuk u fitoka ashtu krejt falas…Prandaj Jezusi kap kamxhikun në dorë për të bërë ritin e pastrimit të Tempullit. Sot liturgjia kremton paraqitjen e Zojës në Tempull: që kur ishte vashë e re… Një grua e thjeshtë, që në këtë ças hyn me çap të pandjeshëm, si Ana. Ajo na mësoftë të gjithëve, të gjithë famullitarëve, të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi baritore, ta mbajnë pastër Tempullin, t’i presin me dashuri ata, që shkelin në të, si të ishte duke shkelur aty vetë Zoja e Bekuar".







All the contents on this site are copyrighted ©.