2014-11-21 15:33:44

Papa: emigranti është Krishti, t’i çrrënjosim padrejtësitë


Emigranti “është Krishti” vetë e kushtet, në të cilat lihet ai, i bëjnë thirrje Kishës e të gjithëve të bëjnë ç’është e mundur për “të çrrënjosur pabarazitë, padrejtësitë e abuzimet”. Vetëm në këtë mënyrë, emigrantët mund të bashkëpunojnë në pasurimin e identitetit të bashkësisë së vendit, ku shkojnë për të kërkuar një jetë më të mirë. Kështu tha sot Papa Françesku, në audiencën për pjesëmarrësit e Kongresit VII Botëror për baritorinë e emigracionit. Në një atmosferë të përzemërt, në praninë e shumë emigrantëve, Ati i Shenjtë përmendi mesazhin e tij për Ditën Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit:
“Nuk janë aq kriteret e efikasitetit, të prodhimtarisë, të shtresës shoqërore, të përkatësisë etnike ose fetare ato, që përbëjnë bazën e dinjitetit të njeriut, por fakti se jemi krijuar sipas imazhit e në shembëllim me Zotin e, edhe më tepër, sepse jemi bijtë e Zotit; çdo njeri është bir i Hyjit! Në të është vulosur imazhi i Krishtit!
Edhe emigranti pra, është Krishti, prandaj, para se të flasë me kulturën e me bagazhin që sjell me vete nga vendi i origjinës, flet me humanitetin e vet, ka dinjitet, sepse është njeri si gjithë të tjerët, bir i Zotit, në të cilin shohim fytyrën e Jezusit. Gjatë fjalës së tij, Papa Françesku përvijoi punën e këtyre ditëve të Kongresit, që u hap më 17 nëntor për të përfunduar pikërisht sot, në takimin me Atin e Shenjtë. Kujtoi se emigracioni akoma mbetet shpresa e vetme për njerëzit, që jetojnë në zonat më të varfëra të planetit. Pikërisht faktorët, që i nxisin emigrantët të marrin udhët e botës, u analizuan hollësisht në Kongres:
“…pabarazitë, varfëria, rritja demografike, nevoja në rritje për punë në disa sektorë të tregut, fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga ndryshimet e klimës, luftrat dhe persekutimet, dëshira e brezave të rinj për të lëvizur në kërkim të mundësive të reja”.
Ndërsa nga njëra anë, kjo sjell përfitime si për vendin e origjinës, i cili zgjidh disi çështjen e papunësisë e të mirëqënies, si për vendin mikpritës, i cili siguron krahë pune e rritje demografike, nga ana tjetër, hap probleme të reja si ikja e trurit, problemet familjare e vështirësitë e integrimit:
“Fatkeqësisht, emigrantët përjetojnë shpesh gjendje zhgënjimi, shkurajimi e vetmie e, do të shtoja, edhe mënjanimi. Vërtet, punëtori emigrant gjendet ndërmjet çrrënjosjes dhe integrimit. E edhe këtu, Kisha përpiqet të jetë vend shprese: harton programe formimi e sensibilizimi; ngre zërin në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve; ofron asistencë, edhe materiale, pa përjashtim, që secili të trajtohet si bir i Zotit”.
Ati i Shenjtë e këshilloi Kishën të kujdeset për pjesëmarrjen e emigrantëve në jetën e saj, sidomos në liturgji e në Sakramente. E së fundi, rekomandimet e Papës Françesku jo vetëm për veprimtarët katolikë, por për të gjithë ata, që kanë përgjegjësi në politikat për emigrazionin:
“Në takimin me emigrantët është e rëndësishme të merret parasysh një perspektivë e gjithanshme, në gjendje të vlerësojë potencialitetin e tyre, në vend që të shohë vetëm një problem për t’u përballuar e zgjidhur. E drejta për zhvillim, ajo e vërteta, ka të bëjë me çdo njeri e me të gjithë njerëzit, katërcipërisht. Kjo kërkon që të vendosen për të gjithë, të paktën nivelet minimale të pjesëmarrjes në jetën e bashkësisë njerëzore. Aq më shumë kjo është e nevojshme në bashkësinë e krishterë, ku askush nuk është i huaj, prandaj, secili meriton mikpritje e përkrahje”.
Para Papës, pjesëmarrësve në Kongres u foli kryetari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve, kardinali Antonio Vegliò, i cili përmblodhi argumentet kryesore të trajtuar në takimin, që përfundoi sot në Universitetin Urbanian të Romës.








All the contents on this site are copyrighted ©.