2014-11-23 12:51:58

Françesku shpall gjashtë shenjtorë të rinj


Papa Françesku shpalli sot, në festën e Krishtit Mbret, gjashtë shenjtorë të rinj të Kishës Katolike. Mesha u kremtua në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.30. Pesë burra e një grua, ndër të cilët dy indianë, Eufrasia Eluvathingal e Zemrës së Krishtit, nga Kongregata e motrave të Nënës së Karmelit (gruaja e vetme ndër shenjtorët e rinj) dhe meshtari Kuriakose Elias Chavara i Familjes Shenjte, themelues i Kongregatës së Karmelitanëve të Zojës së Papërlyer. Të dy kanë jetuar në vitet ‘800. Katër të tjerët janë të gjithë italianë. Tre, ndjekës të Shën Françeskut, apostuj të bamirësisë në kohë të largëta e në rrethana të ndryshme. Amato Ronconi, terciar françeskan, lindur rreth vitit 1226, themelues i spitalit të Shtegtarëve të Varfër në Saludeço të Emilia Romanjës, që sot është kthyer në Shtëpinë e të moshuarve “Vepra e Mëshirshme” dhe mban emrin e tij. Ludovico nga Casoria, lokalitet kampan, ku lindi në vitin 1814. I pagëzuar me emrin Arcangelo Palmentieri, më vonë hyri në Urdhërin e Fretërve të Vegjël e më pas, themeloi Motrat Françeskane Elizabetine, të ashtuquajturat Bigje. I treti, Nicola Saggio nga Longobardi, ka jetuar në vitet ‘600. Është lindur në Kalabri e ka qenë paolot i Urdhërit të të Vegjëlve, themeluar nga shën Françesku i Paolës. Së fundi, Giovanni Antonio Farina, i njohur si ipeshkëv i të varfërve në Viçencë, themelues i Motrave Mësuese të Shën Dorotesë Bija të Zemrave të Shuguruara.








All the contents on this site are copyrighted ©.