2014-11-21 15:33:55

Françesku: janë njerëzit, që e krijojnë zhvillimin, jo paratë, duhen nisma guximtare


Nuk duhet të shkurajohemi nga kriza, por të çlirojmë energji për ta rimenduar ekonominë dhe botën e punës. Është sfida e Papës, në videomesazhin drejtuar pjesëmarrësve të Festivalit për Doktrinën Shoqërore, hapur dje në Veronë, me temë: “Përtej vendeve, brenda kohës”. Papa nënvizon se problemi i vërtetë nuk janë paratë, por njerëzit dhe u drejton një përshëndetje të posaçme gjithë të rinjve, që jetojnë dramën e papunësisë.

T’u jepet përgjigje nevojave të vërteta, duke fituar mbi tundimin e nënshtrimit para krizës, me mendimin se nuk mund të bëhet asgjë për ta kapërcyer. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Festivalit të Doktrinës Shoqërore, Papa flet me fjalë inkurajuese për të gjithë ata që ditë për ditë, në familje, në punë, në ndërmarrje, përpiqen ta përballojnë një situatë, që mund të kallë frikë e të çorientojë. Tundimi i madh, shton Papa, është ai, që të shtyn të ndalesh e të mjekosh plagët, duke gjetur në këtë ndalesë, përligjjen se ishe i zënë e prandaj nuk munde t’i dëgjosh britmat e të varfërve e të shikosh vuajtjen e njerëzve, që humbën dinjitetin, sepse humbën punën, humbën mundësinë për ta çuar në shtëpi bukën e përditshme:
“E këta, që mundohen të mjekojnë vetëm plagët e veta, fshihen pas vetvetes. Ky është kurthi. Krijohet rreziku që indiferenca të na bëjë të verbër, të shurdhër, mememcë, të pranishëm vetëm për vetveten, me pasqyrë përpara, pa parë e pa ndjerë ç’ndodh jashtë nesh. Burra e gra, mbyllur brenda vetes. Na ishte një herë dikush, që quhej Narciz… që ecte në këtë udhë”.
Ne, shton Papa, jemi të thirrur të ecim përtej e t’u përgjigjemi nevojave reale. Është urgjente t’i braktisim vendet e zakonshme, që mbahen si të sigurta e të garantuara, për të çliruar energji të reja:
“Etika e krishterë nuk është doganë për pluralitetin e fjalëve, me të cilat shprehet e mira e kujdesi për të afërmin. Të shkosh përtej, do të thotë të zgjerosh e jo të ngushtosh, të krijosh hapësira e jo të kufizohesh në kontrollin e tyre”.
Të shkosh përtej, kujton Ati i Shenjtë, do të thotë ta çlirosh të mirën e t’i gëzosh frytet e saj. Por, saktëson menjëherë pas, për të shkuar përtej, është e nevojshme të marrësh nisma. Lidhur me këtë Françesku vëren se Festivali i kushton hapësirë të gjerë ekonomisë dhe sipërmarrësve, sipërmarrjeve dhe bashkëpunimit:
Sot edhe në fushën ekonomike është urgjente të merren nisiativa, sepse sistemi ka prirjen të miratojë gjithçka, duke e bërë paranë padron. Sistemi të çon drejt globalizimit jo të mirë, që pranon gjithçka. E padron i këtij miratimi kush është? Është paraja. Të marrësh nisma në këto fusha, do të thotë të kesh guxim e të mos burgosesh nga paraja e nga rezultatet afatshkurtëra, duke u bërë skllav”.
Prej këndej, ftesa e Papës për t’i parë gjërat në mënyrë të re. Sot, vëren me hidhërim, thuhet se shumnë gjëra nuk mund të bëhen, sepse mungon paraja. E pra, për të bërë ca gjëra nuk mungon kurrë paraja, ndërsa mungon, e tepër, kur është fjala për ca gjëra të tjera. Për shembull, shton, para për të blerë armë gjinden, për të bërë luftëra gjinden, për veprime financiare pa skrupull gjinden:
“Për këto zakonisht heshtet: nënvizohen shumë paratë që mungojnë për të krijuar punë, për të investuar në kulturë, në zhvillimin e talenteve, për të projektuar një welfare të re, për të mbrojtur ambientin. Problemi i vërtetë nuk janë paratë, por personat: nuk mund t’u kërkojmë parave të bëjnë, atë që mund ta bëjnë e mund ta krijojnë vetëm njerëzit. Vetëm paratë nuk krijojnë zhvillim, zhvillimin e krijojnë njerëzit, që kanë guxim të marrin nisma”.
Të marrësh nisma, nënvizoi, do të thotë të zhvillosh një sipërmarrje të aftë për novacione jo vetëm teknologjike:
Duhen përtërirë edhe marrëdhëniet e punës, duke provuar forma të reja të pjesëmarrjes dhe të përgjegjësisë së punëtorëve, duke shpikur formula të reja të hyrjes në botën e punës, duke krijuar marrëdhënie solidare ndërmjet sipërmarrjes e territorit. Të marrësh nisiativa, do të thotë ta kapërcesh asistencializmin”.Prej këndej, edhe nevoja për t’i nxitur talentet, duke u krijuar hapësirën e duhur, sepse çlirimi i talenteve është fillesa e mbarë për fillimin e ndryshimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.