2014-11-20 14:49:50

Papa Françesku në FAO: të uriturit e botës kërkojnë dinjitet, jo lëmoshë


“Sot flitet shumë për të drejtat, duke harruar shpesh detyrat. Ndoshta shqetësohemi tepër pak për të uriturit”: janë fjalët e Papës Françesku në konferencën e FAO-s (Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë) për kequshqyerjen në botë. Një fjalim në spanjisht, në një vizitë, parashikuar prej kohësh, për të mbrojtur të varfërit e kësaj bote e për të kërkuar dinjitet për ta e jo lëmoshë. Ati i Shenjtë, siç bën shpesh, e ngriti zërin para atyre, që kanë në dorë fatet e njerëzimit e përgjegjësinë politike për zgjidhjen e problemeve të tij. Por ja fjalimi i plotë:

Zoti President,
zonja dhe zotërinj,
me ndjenja respekti dhe vlerësimi, paraqitem sot këtu, në Konferencën II Ndërkombëtare mbi Ushqimin. Ju falenderoj, zoti President, për mikpritjen e ngrohtë e për fjalët e mirëseardhjes, që më drejtuat. Përshëndes përzemërsisht Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, profesorin José Graziano da Silva, dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të OBSH-së, doktoreshën Margaret Chan, si edhe ju përgëzoj për vendimin tuaj që të mblidhni në këtë Konferencë, përfaqësues të shteteve, të institucioneve ndërkombëtare, të organizatave të shoqërisë civile, të botës së bujqësisë e të sektorit privat, me qëllim studimin e përbashkët të formave të ndërhyrjes për të siguruar ushqimin, si edhe të ndryshimeve të nevojshme për strategjitë aktuale. Bashkimi i plotë i qëllimeve dhe i veprimeve, por sidomos fryma e vëllazërimit, mund të jenë vendimtare për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme. Kisha, siç e dini, përpiqet gjithnjë të tregojë kujdes dhe vëmendje ndaj gjithçkaje, që ka të bëjë me mirëqënien shpirtërore e materiale të njerëzve, para së gjithash ndaj atyre që jetojnë të mënjanuar e të përjashtuar, në mënyrë që t’u garantohen siguria dhe dinjiteti.
1. Fatet e çdo kombi janë të ndërlidhura më shumë se kurrë, ashtu si anëtarët e së njëjtës familje, që varen njëri nga tjetri. Por jetojmë në një epokë, në të cilën marrëdhëniet ndërmjet kombeve prishen shpesh nga dyshimi i ndërsjellë, i cili, nganjëherë, shndërrohet në forma agresioni luftarak dhe ekonomik, minon miqësinë ndërmjet vëllezërve dhe refuzon më tej të mënjanuarit. Këtë e dinë mirë ata, të cilëve u mungon buka e përditshme dhe puna dinjitoze. Ky është kuadri i botës, në të cilin duhet të pranojmë kufizimet e bazuara mbi sovranitetin e secilit prej shteteve, menduar si absolut, e mbi interesat kombëtare, shpesh, të kushtëzuara nga grupe të vogla të pushtetshme. Kjo shpjegohet mirë nga interpretimi i agjendës tuaj të punës, e cila synon hartimin e normave e gjetjen e formave të reja, si edhe angazhime më të mëdha për ushqimin e botës. Në këtë perspektivë, shpresoj që, në formulimin e këtyre angazhimeve, shtetet të frymëzohen nga bindja se e drejta për ushqim do të garantohet vetëm nëse shqetësohemi për subjektin e saj real, pra për njeriun, që vuan nga uria e nga kequshqyerja. Subjekti i vërtetë!
Sot, flitet shumë për të drejtat, duke harruar shpesh detyrat; ndoshta, jemi shqetësuar tepër pak për të uriturit. Gjithashtu, me dhimbje vërejmë se lufta kundër urisë e kequshqyerjes pengohet nga “përparësitë e tregut” dhe nga “mbizotërimi i fitimit”, që e kanë reduktuar ushqimin në një mall të çfarëdoshëm, i cili mund t’i nënshtrohet spekullimit, edhe atij financiar. E ndërsa flitet për të drejta të reja, i urituri është aty, në një qoshe të rrugës, e kërkon të drejtën e qytetarisë, kërkon të merret parasysh në kushtet e tij, të ketë një ushqim bazë të shëndetshëm. Na kërkon dinjitet, jo lëmoshë.
2. Këto kritere nuk mund të qëndrojnë në nivelin e teorisë. Njerëzit dhe popujt pretendojnë të vihet në zbatim drejtësia; jo vetëm drejtësia ligjore, por edhe ajo kontributive e distributive. Prandaj, planet e zhvillimit e të punës së organizatave ndërkombëtare duhet të kenë parasysh dëshirën, kaq të shpeshtë ndër njerëzit e thjeshtë, që në çdo rrethanë të respektohen të drejtat themelore të njeriut e, në rastin tonë, të njeriut të uritur. Kur të ndodhë kjo, edhe ndërhyrjet humanitare, operacionet urgjente për ndihmë e zhvillim – [zhvillimin] e vërtetë, të gjithanshëm – do të kenë më shumë hov e do të japin frytet e dëshiruara.
3. Interesi për prodhimin, mundësia për të pasur e për të përdorur ushqime, ndryshimi i klimës, tregtia bujqësore, pa dyshim, duhet të frymëzojnë rregullat dhe masat teknike, por shqetësimi i parë duhet të jetë vetë njeriu, ai, të cilit i mungon ushqimi i përditshëm e ka reshtur së menduari për jetën, për marrëdhëniet familjare e shoqërore, sepse lufton vetëm për të mbijetuar. Papa i shenjtë Gjon Pali II, në përurimin, në këtë sallë, të Konferencës së Parë për Ushqimin, në vitin 1992, paralajmëroi bashkësinë ndërkombëtare kundër rrezikut të “paradoksit të begatisë”: ka ushqim për të gjithë, por jo të gjithë mund të hanë, ndërsa keqpërdorimin, hedhjen, konsumin e tepruar dhe përdorimin e ushqimeve për qëllime të tjera i kemi para syve. Ky është paradoksi! Fatkeqësisht, ky “paradoks” vazhdon të jetë aktual. Ka pak tema, për të cilat vringëllohen kaq shumë sofizma, sa për këtë të urisë; e pak argumente, kaq të ndjeshme, aq sa të manipulohen nga të dhënat, nga statistikat, nga kërkesat për siguri kombëtare, nga korrupsioni, ose nga përmendja e dhimbshme e krizës ekonomike. Kjo është sfida e parë për t’u kapërcyer.
Sfida e dytë, që duhet përballuar, është mungesa e solidaritetit. Një fjalë, të cilën dyshojmë, pa vetëdije, se duhet ta heqim nga fjalori. Shoqëritë tona karakterizohen nga individualizmi në rritje e nga përçarja; kjo shkakton privimin e të brishtëve nga një jetë e denjë dhe provokon revolta kundër institucioneve. Kur mungon solidariteti në një vend, e pësojnë të gjithë. Në fakt, solidariteti është sjellja, që i bën njerëzit të aftë të ndihmojnë njëri-tjetrin e t’i bazojnë marrëdhëniet e tyre të ndërsjella mbi këtë ndjenjë vëllazërimi, e cila shkon përtej ndryshimeve dhe kufizimeve e na nxit ta kërkojmë së bashku të mirën e përbashkët.
Njerëzit, në masën me të cilën ndërgjegjësohen se janë pjesë e përgjegjshme e planit të Krijimit, në atë masë aftësohen për ta respektuar njëri-tjetrin, në vend që të luftojnë ndërmjet tyre, duke e dëmtuar dhe duke e varfëruar planetin. Edhe shteteve, të kuptuara si bashkësi njerëzish dhe popujsh, u kërkohet të veprojnë me marrëveshje, të jenë të gatshëm ta ndihmojnë njëri-tjetrin përmes parimeve dhe normave, që u vë në dispozicion e drejta ndërkombëtare. Burim i pashterrshëm frymëzimi është ligji natyror, i shkruar në zemrën e njeriut, që flet me një gjuhë, të cilën mund ta kuptojnë të gjithë: dashuria, drejtësia, paqja, elemente të pandashme ndërmjet tyre. Ashtu si njerëzit, edhe shtetet dhe institucionet ndërkombëtare, janë të thirrura t’i pranojnë dhe t’i kultivojnë këto vlera, në frymën e dialogut e të dëgjimit të ndërsjellë. Kështu, objektivi për të ushqyer familjen njerëzore bëhet i realizueshëm.
4. Çdo grua, burrë, fëmijë, i moshuar duhet t’i ketë këto garanci kudo. Dhe është detyrë e çdo shteti të vëmendshëm ndaj mirëqënies së qytetarëve të vet, t’i nënshkruajë pa rezerva e të shqetësohet për zbatimin e tyre. Kjo kërkon këmbëngulje dhe mbështetje. Kisha Katolike përpiqet të japë kontributin e saj edhe në këtë fushë, përmes kujdesit të vazhdueshëm për jetën e të varfërve, të nevojtarëve, në çdo anë të planetit; në këtë linjë hyn edhe përfshirja aktive e Selisë së Shenjtë në organizatat ndërkombëtare, si edhe dokumentet e deklaratat e saj të shumta. Në këtë mënyrë, synohet të kontribuohet në identifikimin dhe miratimin e kritereve, që duhet të zbatohen për zhvillimin e një sistemi të barabartë ndërkombëtar. Janë kritere që, në planin etik, bazohen në shtylla si e vërteta, liria, drejtësia dhe solidariteti; njëkohësisht, në fushën juridike, po këto kritere përfshijnë marrëdhëniet ndërmjet së drejtës për ushqim dhe së drejtës për jetën e për një ekzistencë të denjë, të drejtën për t’u mbrojtur nga ligji, jo gjithnjë pranë realitetit të atyre, që vuajnë nga uria, si edhe detyrimin moral për ta ndarë me të tjerët pasurinë ekonomike të botës.
Nëse besojmë në parimin e unitetit të familjes njerëzore, bazuar në atësinë e Zotit Krijues, si edhe në vëllazërimin e njerëzve, asnjë formë presioni politik apo ekonomik që shfrytëzon bollëkun e ushqimeve, nuk mund të pranohet. Presion politik dhe ekonomik… E këtu mendoj për motrën e për nënën tonë tokë, për planetin. Nëse jemi të lirë nga presionet politike dhe ekonomike, mund ta ruajmë, mund të shmangim vetëshkatërrimin. Kemi përpara Perunë dhe Francën, dy konferenca që na sfidojnë ta ruajmë planetin. Më kujtohet një frazë, të cilën e kam dëgjuar nga një i moshuar, shumë vjet më parë: “Zoti fal gjithmonë fyerjet, abuzimet; Zoti fal gjithmonë. Njerëzit falin nganjëherë. Por toka nuk të fal kurrë!” Ta ruajmë motrën tokë, tokën nënë, që të mos na përgjigjet me shkatërrime. Por sidomos, asnjë sistem diskriminues, faktik apo ligjor, i kushtëzuar nga aftësia për të hyrë në tregun e ushqimeve, nuk duhet të merret si model për aksionet ndërkombëtare, që propozojnë zhdukjen e urisë. Duke i ndarë me ju këto reflektime, i lutem Zotit të Gjithpushtetshëm, Hyjit të pasur me mëshirë, t’i bekojë të gjithë ata që, me përgjegjësi të ndryshme, vihen në shërbim të të uriturve e dinë t’i ndihmojnë me gjeste konkrete afërsie. Lutem edhe që bashkësia ndërkombëtare të dijë ta dëgjojë thirrjen e kësaj Konference e ta konsiderojë si shprehje të ndërgjegjes së përbashkët të njerëzimit: t’u jepet për të ngrënë të uriturve për të shpëtuar jetën e planetit. Faleminderit.
Në përfundim të vizitës në FAO, Papa Françesku përshëndeti personelin, të cilin e nxiti të mos mbetet në nivelin e shqyrtimit të letrave zyrtare, por të merret me gjendjen e vërtetë dramatike të njerëzve të uritur e të etur. E këtu vuri në dukje problemin e madh të ujit të pijshëm:
“Uji nuk është falas, siç mendojmë shpesh herë. Do të jetë problemi i madh, që mund të na çojë drejt luftës”.
Prandaj duhen njerëz, jo vetëm të aftë profesionalisht, por edhe humanë, në gjendje t’i kuptojnë dhe t’i duan të tjerët, sipas shembullit të Jezusit.








All the contents on this site are copyrighted ©.