Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Krishtit Mbret!
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 34-të fesat e Krishtit Mbret ‘A’ Ja
përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë
e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 34-të gjatë e të fundit gjatë vitit
kishtar ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjik të kishës, të cilën të diele,
Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret. Kjo festë e re liturgjike, siç
dihet është themeluar nga Papa Piu XI më 1925, dhe mbyll vitin kishtar me një vizion
të Krishtit Mbret të gjithësisë . Në qendër të skenës së kësaj feste, liturgjia e
Fjalës e posaçërisht Ungjilli na paraqet Krishtin, Alfa e Omega, të ulur mbi fronin
e vet të madhërishëm, si Zotërues i historisë e i mbarë njerëzimit. Ai gjykon me mëshirë
e në të vërtetë, Ai i ndanë të mirët prej të këqijve si aktin e mbramë të mbretërisë
së tij tokësore e si gjestin e parë të Mbretërisë së tij të lavdishme Hyjnore, që
ofron falje e shpëtim. Pra, në këtë të diele të fundit të vitit liturgjik (kishtar),
Shën Mateu në pjesën e Ungjillit na paraqet Birin e njeriut, Krishtin Zot, në madhërinë
e tij lavdishme. Ai është alfa e omega, fillim e plotësim i historisë: liturgjia e
Fjalës së Zotit kësaj radhe na flet rreth mbarimit të botës, për pikën omega. Një
poet thoshte se “jeta kuptohet duke shikuar mbarimin e saj”, ne duke parafrazuar mund
të themi se: “domethënia e historisë kuptohet duke mbajtur para sysh kulimin e saj”.
Mbarimi është edhe caku i jetës. E pikërisht këtë bënë Shën Mateu ungjilltar, duke
na propozuar në pjesën Ungjillore të kësaj së diele, fjalimin e Jezusit mbi “gjyqin
universal”, mbi gjyqin e mbramë. Epilogu i jetës tokësore i Mësuesit: Krishti, të
cilin njerëzit e dënojnë dhe refuzojnë, lartohet mbi ta si gjykatës suprem. Në vdekjen
e tij tragjike, Jezusi do të tregohet si Zotëri e sundues i historisë, si mbret i
gjithësisë, si gjykatës i të gjithëve. Po, paradoksi i krishterë është se Gjykatësi
është një bari, bariu është Qengji, gjyqi e gjykimi janë mëshira.: “në mbarim do të
gjykohemi mbi dashurinë” thotë shën Gjoni i Kryqit. Të reflektojmë mbi gjykimin
e Zotit, që sot kujtohet gjithnjë më rrallë, madje edhe në mjediset teologjike. Njerëzve
nuk u pëlqen t’u kujtosh se ka një gjyq hyjnor, se do të vijë dita, kur të gjithë
do të dalim para Gjykatësit të amshuar, i cili – na kujton Kisha - kur gjykon, interesohet
shumë për njeriun. Gjykimi i Tij hyjnor nuk është akt dënimi për njerëzimin, por akt
hiri, ilaç që shëron, mjekim mëshire e përdëllimi. Duhet, na porosit Kisha, të reflektojmë
shpesh, sa jemi ende në shtegtimin tonë mbi këtë tokë, për Gjyqin e mbramë, për gjykimin
dhe Gjykatësin, pa frikë se prania e Tij do të na e zbehë gëzimin e të jetuarit. Gjykatësi
i amshuar është burim gëzimi, prandaj nuk e zhdukë kurrë gëzimin nga jeta e njeriut.
E prandaj duhet kujtuar shpesh edhe si Gjykatës i amshuar. Ja pra, festa e Krishtit
Mbret, apo e diela e fundit e këtij viti liturgjik, është bartëse e mesazhit të shpresës
për të gjithë ne që duam ta besojmë e ta jetojmë Fjalën e Zotit. Jezusi premton se
do të vijë si mbret i lavdishëm, për të mbyllur historinë tonë, si dhe atë të botës
mbarë, e për të hapur kalimin e mistershëm në jetën e amshuar në Hyjin. Liturgjia
pra na fton të reflektojmë për Mbretërinë e Zotit, që është e fshehur në histori:
vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e
t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri
të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën. Je ti, o Zot, shpëtimi jonë.
I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar sundon, shëlbon
gjithësinë dhe çdo njeri. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej
Krishtit na ka dhënë të gjithëve jeta e amshuar duke na mundësuar pjesëmarrjen në
Mbretërinë e Tij Hyjnore. Liturgjia
e Fjalës
Leximi i parë (Ez 34, 11-12. 15-17) Ju jeni grigja ime: Unë
do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles.
Lexim prej Librit të Ezekielit
profet Kështu thotë Zoti Hyj: “Ja, unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do
të kujdesem për to. Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve
të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do
t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. Unë
vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vetë do t’i mrizoj – thotë Zoti Hyj. Të treturën
do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta shërojë e mbështjellë, të ligështuarën
do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruajë: do t’i kullosë me drejtësi. Kurse
ty, o grigja ime, kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të gjykojë me drejtësi ndërmjet deles
e deles, ndërmjet deshve e cjepve.” Fjala e Zotit.
Psalmi 23 (22)
Ref:
Hiri dhe mirësia jote do të më përcjellin, o Zot. _____________________________
Zoti
është bariu im, asgjë nuk më mungon Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim, më
prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin. Ai më prin shtigjeve të drejta në
saje të dashurisë së Emrit të vet. _____________________________ Po edhe në
kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja sepse
ti je me mua: thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim. _____________________________ Ti
ma shtron tryezën përpara Ndër sy të armiqve të mi, me vaj erëmirë kryet ma
lyen, gotën ma mbush plot e përplot. _____________________________ Hiri dhe
mirësia do të më përcjellin në të gjitha ditët e jetës sime, do të banoj në
shtëpinë e Zotit derisa të jem gjallë. _____________________________
Leximi
i dytë (1 Kor 15, 20-26. 28) Biri do t’ia nënshtrojë mbretërinë Atit, që Hyji
të jetë gjithçka në të gjithë.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull
drejtuar Korintasve.
Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është
fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër
një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit,
ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas
radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i
përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë,
pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë
derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të
asgjësohet, do të jetë vdekja. E kur t’ia ketë nënshtruar të gjitha, edhe vetë Biri
do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të
gjithë. Fjala e Zotit !
Ungjilli (Mt 25, 31-46) Do të ulet mbi fronin
e vet të madhërueshëm e do t’i ndajë njërin prej të tjetrit.
Leximi i Ungjillit
shenjt sipas Mateut Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vij
Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e
vet të madhërueshem. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i
ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë
në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën. Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre
që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë
Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë
të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e
më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’ Të
drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash,
të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të
veshëm? Ose kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet:
‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël,
e bëtë për mua.’ Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni
prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt
e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi,
isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në
burg e nuk erdhët tek unë.’ Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të
pamë të uritur, a të etshëm a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, ja në burg e
nuk t’u gjetëm në nevojë?’ E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado
s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’ Këta do të
shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.” Fjala e
Zotit!
Më tepër mbi programin kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit, mund
ta ndiqni edhe këtu.....