Dom Ndre Mjeda,Meshtar, poet e gjuhëtar i madh, që mbeti në kujtesën
e popullit si këngëtari i "Bylbylit në kafaz", i "Rinisë" e i "Andrrës
së jetës", një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare,
lindi në Shkodër, më 20 nëntor 1866, për t'u përshkuar pastaj tërë jetën nëpër
rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë të Spanjës;
nga Kraljevica e Bosnjës-Hercegovinës në Chieri të Italisë, nga Krakovia e Polonisë
në vendlindje e në fshatin Kukel. Shumë e njohur është veprimtaria e Mjedës,
që nuk bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe.
Në veprën “Jezuitët Martirë në në Shqipëri” botuar pak vjet më parë nën kujdesin e
Jezuitit italian Atë Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë
Mjedja do të shkumbëzonte nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim
ortodoksinë e tij katolike e tomistike, teologjike e filozofike”. (“Gesuiti Martiri
in Albania”, Cusano Milanino, Febbraio, 1966, fq. 45) Prandaj duke e përkujtuar
sot në përvjetorin e lindjes, po vemë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura,
ato fetare. Ndonëse shumica e veprave fetare të dom Mjedës janë përkthime apo përshtatje,
mund të themi me plot gojën se me to Meshtari dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin
e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe. Ndër veprat fetare
të dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shêjtit Shë Njon Berkmansit” që e
përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç, “Të Pergiámit e Zojës
së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927: “Lumnít
e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së
Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh”
përshtatur prej italishtes. Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit,
të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin
Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”. Pas këtyre përkthimeve,
shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga”, Projsi i pergjithtë i moshës
së rë". Në XXI kapituj tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Pio
XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike
që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e kremtimeve
të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë,
ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re. Në kreun e parë - siç e quan Mjedja,
lexojmë: “Luigj Gonzaga! Êmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me êjë; që ka
begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue
nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís êjëllore; qi ká
xë mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me
përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltërna e kisha gjithkû
permêndet fëja e Krishtit, prei qândres së Kështênimit në Romë, e deri në mâ të largtin
katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder
pyje të páshteg, nder shkretína të mndërshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me
u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon
nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’êmen fëmijvet, qi të
jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne. Në kreun
XXII të librit, që titullohet “Zani i Shêjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja
që e shtyu dom Mjeden lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së
një Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue
mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shêjte, mësimi i të vertetave
të Fës, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq
prej moshës së rë katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve
të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare – shënimi ynë) per mirërritjen
e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...- shkruhet
në Letrën Apostolike të Shenjtit Atë Papë. Një tjetër vepër me karakter fetar është
“Historia Shêjte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor e
atë të kultivuar njëherit.Vepër e dom Mjedës është edhe një nga librat më të njohur
e më të përdorur të uratëve, apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”,
e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët. Duke
lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedës së madh, ndjejmë gati gati po
atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike. Në kohën tonë kur libra si të Mjedës
janë tepër të rrallë, kur Kisha ka aq nevojë për kryevepra fetare, mendojmë se do
të ishte mirë të ribotoheshin veprat më të realizuara të traditës, si bie fjala “Shë
Luigj Gonazaga” ose “Historia Shêjte”, shkruar me dorë mjeshtri, artisti
e shkencëtari, sesa të inkurajohet botimi i veprave të dobta, sepse, siç dihet, veprat
e dobta s’do të bënin tjetër, veçse ta zbehnin interesimin e jashtzakonshëm që ka
treguar e tregon rinia e posa zgjuar katolike shqiptare për Kishën e për figurat
e saj të mëdha.