2014-11-20 12:19:42

Dom Ndre Mjedja, gjuhëtari që lëvori gjuhën letrare shqipe


Poeti dhe veprimtari patriot, dom Ndre Mjeda, kujtohet në përvjetorin e lindjes si një nga kontribuesit e shquar në lëvrimin e gjuhës letrare shqipe. Ndihmesa e tij njihet në gramatikë, leksikologji dhe filologji. Mjeda krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë "Agimi" me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t'u përmendur "Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe" (1934) dhe "Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe" (1902).
Dom Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e Pjetër Bogdanit (1930) dhe të Pjetër Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
Mjeda lindi në Shkodër më 20 nëntor 1866 në një familje të varfër, të ardhur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër, më pas u dërgua për studime të mesme dhe të larta teologjike në disa vende në Evropë. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. I dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, dom Ndre Mjeda u kthye në atdhe, ku u emërua famullitar në fshatra të ndryshme, periudhë kur u lidh me lëvizjen patriotike.
Veprimtarinë poetike dom Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema e njohur romantike "Vaji i bylbylit" u shkruajt më 1887. Në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martini, N. Bytyçi, etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha 'Juvenilia", ai shkroi, por nuk botoi gati asgjë.
Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, dom Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si "Liria" (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t'u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha "Mustafa Pasha në Babunë" fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur "Andrra e jetës", nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.
Më 1901, bashkë me të vëllanë, themeloi shoqërinë "Agimi", e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.
Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedës, e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima "Scodra" dhe "Lissus", ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve, evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare Ndre Mjeda shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin që sundonte vendin. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës vend zënë edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi etj.
Romantik në thelb, Ndre Mjeda bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri poetike.
Për veprimtarinë e tij patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komsisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë aktive në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Vitet e fundit ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër dhe ndërroi jetë në këtë qytet./nga ATSH19 Nëntor 2009/







All the contents on this site are copyrighted ©.