Me 19 nëntor kalendari kujton Shën Matildën, murgeshë
Me 19 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Matildën e Hakebornit, murgeshë. Shën
Matilda lindi rreth vitit 1240 në Kështjellën e Helfës, në Saksoni. Ishte bijë e familjes
fon Hakeborn, një nga më fisniket e më të fuqishmet e Turingjisë. Motra e saj e madhe,
Gjeltruda, ishte abateshë në kuvendin e Helfës. Prindërit e çuan vajzën për t’u
edukuar në manastirin e motrave benediktine të Rodardsdorfit, që kur ishte shtatë
vjeçe. Aty ndjeu thirrjen për jetë rregulltare e, akoma krejt e re, vendosi të vishte
zhgunin benediktin. Më 1258 u bashkua me motrën e madhe në Helfa ku, tri vjet më
pas, iu besua kujdesi për një murgeshë të re, që do të mbetej në histori me emrin
Shën Gjertruda e Madhe. Pikërisht kësaj simotre, Matilda do t’ia rrëfente së pari
vegimet e saj mistike. Nga këto biseda do të lindte njëri nga librat më të famshëm
të mistikës mesjetare: “Libri i Zbulesave”. Matilda, e pajisur me talent të veçantë
për muzikë, e sidomos për këngë, drejtonte korin e manastirit e mendohet se ishte
pikërisht kjo prirje e saj, që frymëzoi Dante Aligerin për krijimin e figurës së Mateldës,
të cilën e gjejmë në Purgatorin e tij. Vdiq në manastirin e Helfës, në vitin 1298. Në
Martiriologun Romak kujtohet me këto fjalë: “Shën Matilda, virgjër, grua e shquar
për doktrinë e përvujtëri, e ndritur nga dhurata hyjnore e kundrimit mistik, jetoi
e vdiq në manastirin e Helfës në Saksoni të Gjermanisë”.