2014-11-19 14:13:20

Gavril Dara i Riu, poeti arbëresh në përvjetorin e vdekjes


Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu është poeti më i shquar arbëresh, i cili vdiq me 19 nëntor të vitit 1885 në mjerim duke lënë gjashtë fëmijë ende të mitur. Bota e letrave shqipe sot pra përkujton përvjetorin e ndarjes nga jeta të patriotit arbëresh , poetit, gazetarit, historianit dhe arkeologut Gavril Dara i Riu-
Bir i Andrea Darës e nip i Gavril Darës "Plakut" - emra të shquar të një familjeje arbëreshe, që i dha shumë Rilindjes sonë Kombëtare, Gavril Dara (i Riu), lindi 182 vjet më parë, më 8 janar 1826, në fshatin sicilian Palac Adriano.
Mësimet e para i kreu në seminarin italo-arbëresh të Palermos, fidanishte shqiptarësh të kulturuar e patriotë. Më pas vijoi studimet për drejtësi, duke ecur në gjurmët e traditës familjare. Iu desh ta ushtrojë profesionin në shumë qytete të Italisë, ku u bashkua me garibaldinët, në luftë për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë. Më 1871-74 drejtoi në Romë gazetën politike "La Riforma" të Frano Krispit, edhe ky arbëresh, shumë i njohur në politikën italiane të kohës dhe objekt i satirës së Atë Fishtës, i cili e sulmoi ashpër për qëndrimin negativ ndaj fateve të Atdheut të të parëve. Ndoshta prandaj, i zhgënjyer, Dara do të largohej shpejt nga drejtimi i gazetës e nga çdo veprimtari politike.
Njeri me kulturë poliedrike, Gavril Dara i Riu u muar me poezi, drejtësi, filozofi e arkeologji.
Hartoi një fjalor italisht-shqip e botoi vëllimin me vjersha titulluar "Disa poezi", ndërmjet të cilave "Himni i Garibaldit. Por kryevepra e tij mbetet poema epiko-lirike "Kënga e sprasme e Balës" që pasqyron epopenë e lavdishme 25 vjeçare të shqiptarëve të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë kundër zgjedhës osmane. Kjo është vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "" dhe është një ndër kryeveprat e letërsisë shqipe.
Dara i Riu vlerësohet si poet romantik, që mishëron të gjitha tiparet e Rilindjes Kombëtare. Vdiq në Girgjenti më 1889, ndërsa ishte tërhequr plotësisht nga jeta politike, duke iu kushtuar kryesisht arkeologjisë dhe gjuhës shqipe.







All the contents on this site are copyrighted ©.