Françesku: shenjt mund të bëhesh kudo në gjërat e përditshme
Shenjtëria është udhë, që mund ta bëjnë të gjithë, kudo që jetojnë, e bëhet me gjeste
të vogla, të kryera nga dashuria për të tjerët. Këtë mësim ia propozoi sot Papa Françesku
turmës, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme. Në përfundim,
Ati i Shenjtë kërkoi lutje për të mbështetur murgat e klauzurës, në prag të Ditës
“pro Orantibus”, të 21 nëntorit.
Shenjtëria nuk
ka qenë kurrë çështje kamaresh mbi elterë e resh temjani, sepse të gjithë Shenjtorët
e Shenjtoret e historisë, para se të bëheshin shtatore allçie, që nderohen ndër Kisha,
qenë në radhë të parë gra e burra me mëngë të shpërvjelura e me shpinë të përkulur,
gjithnjë në shërbim të më të varfërve ndër të varfër.
Ua përsëriti me pasion,
Papa Françesku, mijëra njerëzve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nëna e baballarë,
të rinj e të reja, gjyshër e gjyshe, priftërinj e murgesha: “Çdo mënyrë jetese të
çon në shenjtëri”. Shenjt mund të bëhet kushdo e mund të bëhet kudo. Këtë na e mëson
që prej 50 vjetësh Koncili II i Vatikanit, që na kujton edhe se shenjtëria është thirrje
universale. Prej këndej, gabon kush mendon se u takon vetëm atyre, që kanë mundësi
të shkëputen nga telashet e zakonshme, për t’iu kushtuar krejtësisht lutjes: “Ndokush
mendon se shenjtëri do të thotë të mbyllësh sytë e ta bësh fytyrën si fytyrë figureje.
Jo! Nuk është kjo shenjtëria! Shenjtëria është diçka shumë më e madhe, më e thellë,
që na e jep Zoti. Madje, jemi të thirrur të bëhemi shenjtorë pikërisht duke jetuar
me dashuri e duke dhënë dëshminë tonë të krishterë në punët e përditshme”. Je
i kushtuar? Jetoje me gëzim dhurimin tënd. Je i martuar? Shenjtëroju duke e dashur
tënd shoq a tënd shoqe e duke u kujdesur për të, ashtu si bëri Jezusi për Kishën.
Papa Françesku iu drejtua secilit, për t’i nxitur të gjithë ta shikojnë shenjtërinë
si udhë, në të cilën mund të ecë kushdo. E, sipas zakonit të tij, vuri theksin mbi
problemet, që shqetësojnë mendje e zemra, kur kujtohet ky argument: “Por, o
Atë, unë punoj në fabrikë; punoj llogaritar, merrem gjithnjë me numra, e aty nuk mund
të jesh shenjt...’ Po, mundesh! Aty ku punon, mund të bëhesh shenjt. Hyji të jep hirin
të bëhesh shenjt. Hyji komunikon me ty. Gjithnjë e kudo mund të bëhesh shenjt, mund
ta hapësh zemrën për këtë hir, që punon brenda nesh e na çon drejt shenjtërisë”. Shenjtëria,
pohoi Papa, është fytyra më e bukur e Kishës: “Kur Zoti na fton të bëhemi shenjtorë,
nuk na thërret për ndonjë gjë të rëndë, të trishtuar... Përkundrazi! Është ftesë për
të marrë pjesë në gëzimin e Tij, për të jetuar duke dhuruar çdo çast të jetës, e duke
e bërë njëkohësisht dhuratë dashurie për njerëzit që kemi pranë”. E kur flasim
për njerëzit, që kemi pranë, do të thotë se shenjtëria nuk të kërkon ndonjë gjë të
jashtëzakonshme, në rrethana të jashtëzakonshme. Shenjtëri është gjesti i vogël, i
përditshëm, i bërë me dashuri. E Papa Françesku solli disa shembuj konkretë: “Në
shtëpinë tënde, yt bir të kërkon t’i flasësh pakëz për gjërat e tij fantastike: ‘Oh,
jam tepër i lodhur, kam punuar shumë sot...’- përgjigjesh. Po ti ulu e dëgjoje tënd
bir, që ka nevojë’. Ulu e dëgjoje me durim: ky është një hap drejt shenjtërisë. Pastaj,
dita mbaron, jemi të gjithë të lodhur e të këputur, por është ora e uratës. Themi
uratë: edhe ky është një hap drejt shenjtërisë”. E mbi këto gjeste Hyji sharton
sythin e hirit të Tij, sepse, përfundoi Papa, shenjtëria është gjithnjë dhuratë e
Zotit e kurrë udhë e bërë vetëm. Kjo rrugë përshkohet gjithnjë në korpin unik, që
është Kisha. Në përfundim të përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme,
Papa kujtoi Ditën ‘pro Orantibus”, që do të kremtohet pasnesër, kushtuar bashkësive
rregulltare të klauzurës: “Është rast i përshtatshëm që ta falënderojmë Zotin
për dhuratën e shumë njerëzve të cilët, në manastire e vetmitore, i kushtohen Zotit
në punë e në heshtje vepruese, duke ia njohur atë pari, që i takon vetëm Atij”. Më
pas Papa Françesku u drejtoi një përshëndetje të rinjve profesionistë sipërmarrës
e afaristë shoqërorë, që marrin pjesë në një kuvëndim organizuar nga World
Economic Forum (Forumi Ekonomik Botëror) në bashkëpunim me Universitetet Papnore
të Romës, për të gjetur rrugë të reja, që ndihmojnë për ta kapërcyer përjashtimin
shoqëror dhe ekonomik të njerëzve. Uroj që ky takim, tha Papa, të japë ndihmesën e
vet për lindjen e një mendësie të re, e cila nuk e shikon paranë si idhull, për t’i
shërbyer, por si mjet për të mirën e përbashkët”. Mendimi i fundit iu kushtua
viktimave të përmbytjeve të këtyre ditëve në Liguria e në veri të Italisë: të lutemi
për ata e për familjarët e tyre e të jemi solidarë - kërkoi Papa Françesku – me të
gjithë njerëzit, që pësuan dëme të rënda.