2014-11-19 14:11:16

Fillon në Vatikan, konferenca mbi autizmin. Të shtunën, takimi me Papën


Autizmi është problem i ndërlikuar, që shpesh shihet me dyshim, duke mënjanuar nga shoqëria njerëzit, të cilët vuajnë prej tij. Për këtë arsye, Këshilli Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë e ka vënë në qendër të Konferencës së 29-të ndërkombëtare, në program nga 20 deri më 22 nëntor në Vatikan, me titull “Njeriu me shqetësime të spektrit autist: të rizgjojmë shpresën”. Të shtunën e ardhshme, pjesëmarrësit do të takohen me Papën e do të luten bashkë me të.
Gjatë konferencës për shtyp, në të cilën merrte pjesë kreu i dikasterit vatikanas, imzot Zygmunt Zimowski, u sqarua se autizmi është shqetësim neurokomportamental, që nis në barkun e nënës, gjatë periudhës së zhvillimit të trurit. Ka zanafillë gjenetike dhe ambientale, shfaqet brenda tre viteve të para të jetës e nuk shërohet. Në botë, vuajnë prej kësaj sindrome një çdo 100-110 fëmijë - një çdo 68 në SHBA-të. Por cili është qëllimi i konferencës në Vatikan? Ja ç’tha imzot Zimowski:
“Qëllimi kryesor është të gjenden mjetet më të përshtatshme për kujdesin shpirtëror ndaj atyre që, drejtpërdrejt ose jo, kanë të bëjnë me një problem të tipit autist; të rizgjojmë shpresën, t’u kthejmë hovin jetësor rasteve më të vështira, si edhe atyre – profesionistë të shëndetësisë, familjarë, shoqata – që kujdesen për autistët”.
Nëse në gjirin e saj ka një fëmijë autist, ka rrezik që e gjithë familja të mbyllet në vetvete, të izolohet nga bota, për shkak të paragjykimeve, siç shpjegoi përgjegjësi i Neuropsikiatrisë Infantile në Spitalin e Krishtit Fëmijë, Stefano Vicari:
“Ekziston një stereotip, një paragjykim, një stigmatizim i tillë ndaj autizmit, saqë shpesh, familjet izolohen edhe nga miqtë e të afërmit, sepse në gjirin e tyre ka fëmijë, të cilët kanë vështirësi integrimi në jetën e shoqërisë. Familja e një fëmije autist është gjithnjë në rrezik: për shembull, dimë me siguri se ndarjet dhe divorcet janë më të shpeshta”.
E rëndësishme është të flitet për gjendjen(sidomos në vendet e varfëra) e për aspektet legjislative, që lidhen me të, por organizatorët e konferencës janë të vetëdijshëm se edhe më e rëndësishme është të diskutohet për diagnostikimin e hershëm të autizmit, për kurimin e për ndikimin, që mund të kenë arti, feja e komunikimi në trajtimin e pacientëve. Të dëgjojmë zv.Sekretarin e Këshillit Papnor, imzot Jean-Marie Mate Musivi Mupendawatu:
“Sot për sot, njohim faktorët e rrezikut, faktorët gjenetikë, faktorët ambientalë, por nuk janë të mjaftueshëm për të përcaktuar patologjinë. Për rrjedhojë, nuk ka ndonjë ilaç, nuk ka asnjë kurë. Familjet përdorin të ashtuquajturat kurime plotësuese ose alternative. Pra, kemi nevojë të punojmë për të fituar njohuri më të mëdha shkencore e për një diagnozë të hershme, që ta identifikojë problemin”.
I veçantë, do të jetë takimi i së shtunës me Papën Françesku. Një audiencë në sallën Pali VI, ku parashikohet pjesëmarrja e qindra të rinjve e fëmijëve autistë, shoqëruar nga familjet dhe personeli shëndetësor. Takimi është menduar me këngë e lutje e në të do të marrin pjesë edhe artistë të shquar italianë si autori i këngëve Mogol, këngëtarja Arisa dhe grupi muzikor Tazenda. Dy çastet kryesore të takimit i shpjegoi zv-sekretari i Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, atë Augusto Chendi:
“I pari fillon në orën 11.00, në Sallën Pali VI, me një çast lutjeje e dëshmish nga bota e autizmit, ndërthurur me pjesë muzikore. Çasti i dytë, në praninë e Atit të Shenjtë, do të ketë akoma shijen e lutjes e të festës përmes këngëve me natyrë fetare, që synojnë t’i përfshijnë edhe autistët e pranishëm me anë të gjesteve, në mënyrë që të dalin nga izolimi i tyre i zakonshëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.