2014-11-19 16:38:21

Fetë në Vatikan: të mbrohen fëmijët nga ideologjia gjinore


Dita e tretë dhe e fundit e Bisedimeve ndërfetare ndërkombëtare në Vatikan, me titull “Humanum. Burri dhe gruaja përplotësojnë njëri-tjetrin”. Përfaqësuesit e 14 feve ishin një mendje dhe theksuan se martesa dhe familja janë e duhet të jenë në qendër të shoqërisë. Të dëgjojmë sekretarin e Këshillit Papnor për Familjen, imzot Jean Laffitte:
Më bëri shumë përshtypje uniteti, që u krijua menjëherë ndërmjet pjesëmarrësve me fe të ndryshme… Të gjitha fetë besojnë në Krijimin e në faktin se ekziston një inteligjencë hyjnore, e cila nuk vepron në mënyrë të çrregullt. Prandaj, fetë u mblodhën këtu për të dëshmuar se dashuria e një burri me një grua shkon përtej njeriut dhe marrëdhënieve të tij, sepse çifti vë bazat e diçkaje të vlefshme për gjithë shoqërinë. Për më tepër, kur dikush dashuron dhe e di se dashurohet, ka në vetvete intuitën se duhet nga një Tjetër e se dëshiron të dojë një Tjetër, Zotin, Zotin e mirë.
Papa Françesku e ka mbrojtur gjithnjë të drejtën e fëmijëve për të pasur një nënë e një babë. Në muajt e kaluar refuzoi qartë çdo lloj eksperimenti edukativ me të miturit…
Po, gjatë këtyre ditëve, shpesh, Ati i Shenjtë citohet edhe nga relatorët. Kjo do të thotë se përplotësimi i burrit me gruan ngre problemin juridik të mbrojtjes së të vegjëlve. Një fëmijë, kur del në dritë, ka të drejtë të ketë një nënë e një babë, thekson vazhdimisht Papa Françesku. Këtu nuk kemi të bëjmë me studim teorik ekspertësh, por me një element, në të cilin shprehet baza e rrënja e së drejtës së fëmijës. Edukimi në këtë drejtim është themelor, strukturor.
Në fjalën tuaj, ju përmendët mësimet e shën Gjon Palit II mbi martesën e krishterë…
Mësimet e Gjon Palit II, jo vetëm përmbledhin dhe mbartin në vetvete thesaret e magjisterit të Kishës, por është hera e parë, që një person, i përgatitur nga pikapmaja antropologjike, i kushton mëse 25 vjet të jetës së vet, edhe para se të bëhej Papë, temës së martesës ndërmjet burrit e gruas. Prandaj, kemi një kontribut të jashtëzakonshëm të tij, jo vetëm si studiues, filozof e moralist, por edhe përmes 134 katekizmave, që Gjon Pali II shqiptoi nga viti 1979 deri në vitin 1984. Në to kemi dritën shumëdisiplinore mbi misterin e dashurisë njerëzore. Është vepër monumentale, të cilën duhet ta shfrytëzojmë, pasi pikërisht për këtë kanë nevojë njerëzit sot: të dinë ç’është thirrja e tyre për dashuri, ç’është ai, që Papa Vojtila e quante ‘plani i Zotit për martesën e familjen’. Mësim jashtëzakonisht aktual, që mund t’u arrijë njerëzve vullnetmirë, përtej rretheve ngushtësisht katolike, ose të krishtera.
Përplotësimi i burrit me gruan është i rëndësishëm për të gjitha fetë. “Historia e Popullit të Izraelit fillon me një burrë e një grua”, kujton në mikrofonin tonë, rabini hebre Lord Jonathan Sacks:
Judaizmi fillon me historinë e burrit të parë e të gruas së parë në Kopshtin e Edenit. Megjithëse e humbasin Parajsën e tyre të veçantë, ne ndjejmë se ajo rizbulohet sa herë që një burrë e një grua bashkohen me dashuri. Ne u mblodhëm këtu për t’i kujtuar Perëndimit këtë institucion të mrekullueshëm, besëlidhjen e shenjtë në martesë, e cila ka qenë forca e Perëndimit për dymijë vjet. Tani duket se po e humbet këtë forcë, sepse në shumë vende, një numër gjithnjë e më i madh fëmijësh lindin jashtë martesës e gjithnjë e më pak njerëz martohen.
Shoqëria e sotme përpiqet ta relativizojë konceptin e familjes natyrore. Shtetet, jo vetëm po e lejojnë, por edhe po promovojnë forma alternative të martesës, adoptime për çiftet homoseksuale e përhapjen e teorisë gjinore. Si t’u përgjigjemi këtyre sfidave?
Ajo që po ndodh në Perëndim është se qeveritë dhe grupe të mëdha njerëzish po injorojnë të dhënat bazë të biologjisë, sociologjisë dhe antropologjisë. Arsyeja për të cilën njerëzit janë bërë të tillë është se burri e gruaja u bashkuan për të mbrojtur e për të rritur bijtë e tyre. Ky ishte realitet biologjik shumë më parë se dikush ta shenjtëronte përmes fesë. Dimë se vendet, ku martesat kanë qenë të qëndrueshme, kanë pasur shoqëri të fuqishme e kanë qenë të fortë. Aty ku martesat ishin jo aq të qëndrueshme, në brezin e mëpasëm, i gjithë kombi dobësohej. Pra, ne flasim për diçka, që nuk e predikojmë si dogmë, nuk kufizohemi vetëm në citimin e Zbulesës së Zotit, por flasim me fakte shkencore të mirënjohura. Eksperimenti, të cilit i nënshtrohet sot Perëndimi, duke braktisur gjerësisht martesën tradicionale, nuk është bërë kurrë më parë në asnjë shoqëri e do të përfundojë në konfuzion e në vuajtje të mëdha për fëmijët, që do të rriten pa të dy prindërit.







All the contents on this site are copyrighted ©.