Kushtimi i Bazilikave të shën Pjetrit e shën Palit, apostuj
Sot më 18 nëntor Kisha përkujton Kushtimin e Bazilikës së shën Pjetrit në Vatikan
(1626) e asaj të shën Palit në Ostiense (1854) në Romë. Princat e Apostujve, Pjetri
e Pali, kremtohen pothuajse gjithmonë së bashku nga liturgjia romake. Dy bazilikat,
trofe e martirizimit të tyre për fe, u ngritën pikërisht atje ku Pjetri e Pali derdhën
gjakun për Krishtin e ku edhe u varrosën. Cak shtegtimesh të vazhdueshme të besimtarëve
në rrjedhë shekujsh, bazilikat janë simbol i bashkimit dhe i karakterit apostolik
të Kishës së Romës. Përkujtimi i kushtimit të bazilikave është një rast i përshtatshëm,
që i shtyn të gjithë të krishterët të meditojnë mbi fjalët e shën Pjetrit, i cili
thotë: “Nuk deshëm t’ju rrëfejmë përralla, kur ju njohëm me pushtetin dhe ardhjen
e Zotit tonë, Jezu Krishtit, port erdhëm si dëshmitarë, të cilët e panë me sytë e
vet madhështinë e Tij dhe dëgjuan zërin që zbriste nga qielli, derisa ishin me Krishtin
mbi malin e shenjtë”. Pikërisht kjo dëshmi, të cilën të dy apostujt e vulosën
me gjak, i shtyn pambarimisht shtegtarët të gjunjëzohen pranë Varreve të tyre, mbi
të cilat lartohen madhështore bazilika e shën Pjetrit në Vatikan dhe e shën Palit
në rrugën Ostiense, në Romë, kushtimin e të cilave nga Papa Silvestri (314-335) dhe
Papa Siricio (384-399) e përkujtojmë sot. Që nga shekulli XII në bazilikën e Vatikanit
të Shën Pjetrit dhe në atë të Shën Palit në rrugën Ostiense, përkujtoheshin dhe kremtoheshin
përvjetorët e kushtimeve të tyre, të ndërtuara në shekullin IV nga papët e shenjtë
Silvestri (314-335) dhe Sirici (384-399). Në Martiriologun Romak, për bazilikën
e shën Pjetrit në Vatikan, shkruhet: “Kjo bazilikë, e ndërtuar nga perandori Kostandin
mbi kodrën e Vatikanit përmbi varrin e Shën Pjetrit, e dëmtuar rëndë nga koha dhe
e rindërtuar në formë më të zgjeruar, u shugurua përsëri më 18 nëntor. Tjera bazilikë,
ajo e shën Palit, në rrugën Ostiense të Romës, e ndërtuar nga perandorët Teodosi e
Valentiniani e pastaj e shkatërruar nga një zjarr i tmerrshëm, u rindërtua përsëri
e u kushtua më 10 dhjetor. Me përkujtimin e tyre të përbashkët, shprehet simbolikisht
vëllazërimi ndërmjet dy Apostujve Pjetër e Pal dhe uniteti i Kishës. Ky përkujtim
i kushtimit të bazilikave të Apostujve është një rast i ri, i katërti gjatë vitit,
që na nxit të reflektojmë për figurat e për veprat e dy Princave të Apostujve e edhe
për kultin e jashtëzakonshëm që gëzojnë që prej dymijë vjetësh ndërmjet besimtarëve.