2014-11-17 14:46:54

Papa: Kisha nuk është grup të zgjedhurish, mbyllur në mikroklimën “kishtare”


Ndodh në Kishë që të krishterët të tundohen për të ndenjur me Jezusin, pa dëshirën për të qenë pranë të varfërve e të shtypurve, duke u izoluar në një mikroklimë kishtare, e cila, gjithsesi, nuk ka asgjë vërtet kishtare. E theksoi Papa gjatë Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
T’ia ngulësh sytë Jezusit, duke harruar ta shikosh në të varfrin, që kërkon ndihmë, në të përjashtuarin nga radhët e shoqërisë, që të ngjall neveri! Është ky, tundimi, të cilin Kisha e jeton në çdo epokë. Tundimi i rrethimit me gardh, i mbylljes në një “mikroklimë kishtare”, siç e quan Papa, në vend të hapjes së portave për të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë. Homelia e Françeskut u nis nga njëra prej faqeve më të forta të Ungjillit, që ka si protagonist të verbrin e Jerikos. Ai, vërejti Papa, përfaqëson “klasën e parë të njerëzve” që popullojnë rrëfimin e Shën Lukës ungjilltar. Një njeri pa pikë peshe, por që, megjithatë, kishte dëshirë të shëlbohej, dëshirë të përfillej e që, prandaj e ngre fort zërin përballë murit të indiferencës rrethuese, derisa fiton e arrin të trokasë në zemrën e Jezusit. Këtij njeriu i kundërvihet rrethi i dishepujve, që përpiqen t’ia mbyllin gojën, sepse nuk duan t’i shqetësojë. E, duke vepruar kështu, theksoi Papa, e largojnë Zotin nga periferia:
“Kjo periferi nuk mund të arrinte tek Zoti, sepse ky rreth – ndonëse me vullnet të mirë, e?- ia mbyllte portën. E kjo ndodh herë pas here ndër ne, besimtarët: kur e kemi gjetur Zotin, pa u kujtuar, krijohet kjo mikroklimë kishtare. Jo vetëm priftërinjtë, ipeshkvijtë, por edhe besimtarët thonë: ‘Po ne jemi ata që rrinë me Zotin’. E duke shikuar gjatë Zotin, nuk i shikojnë nevojat e Zotit: nuk shikojnë Zotin, që ka uri, që ka etje, që është në burg, që është në spital. Këtë Zot, në të shtypurin. E kjo klimë bën shumë keq”.
Nga ironia e hidhur, Papa kaloi tek përshkrimi i një grupi, që e ndjen veten të zgjedhur – tani jemi të zgjedhur, jemi me Zotin, thotë – e që, prej këndej, dëshiron ta ruajë vetëm për vete këtë botë të vogël, duke e larguar këdo që “do të mund ta trazonte Zotin”, deri fëmijët. E ka harruar, vërejti Françesku, e ka braktisur dashurinë e parë:
“Kur në Kishë besimtarët, shërbyesit, bëhen një grup i tillë - jo kishtar, por ekleziastik, që e shikon si privilegj të vetin afërsinë me Zotin - lind tundimi për ta harruar dashurinë e parë, atë dashuri aq të bukur, që e ndjemë të gjithë, kur Zoti na thirri, na shpëtoi, na tha: ‘A e di se të dua fort, fort!’. Ky është tundimi i dishepujve: ta harrojnë dashurinë e parë, domethënë, të harrojnë edhe periferitë, ku ishin më parë, edhe pse duhet të turpërohen”.
Në skenë del, pastaj, grupi i tretë: populli i thjeshtë, ai, që lumnon Zotin për shërimin e të verbtit. Sa herë, pohoi Françesku, gjejmë njerëz të thjeshtë, plaka që mezi ecin e, me shumë flijime, shkojnë në ndonjë shenjtërore të Zojës. Nuk kërkojnë privilegje. Vetëm hire kërkojnë. Është populli besnik, përfundoi Papa, ai që di ta ndjekë Zotin, pa kërkuar asnjë privilegj, ai, që është i aftë “të humbasë kohë me Zotin” e posaçërisht, të mos e harrojë “Kishën e mënjanuar” të fëmijëve, të të sëmurëve, të të burgosurve:
T’i lypim Zotit hirin që ne të gjithë, ne, që e kemi hirin e të thirrurve, të mos largohemi kurrë, kurrë nga kjo Kishë. E të mos hyjmë kurrë në këtë mikroklimë të dishepujve kishtarë, të privilegjuar, larg nga Kisha e Hyjit, e cila vuan, kërkon shpëtimin, kërkon fenë, kërkon fjalën e Zotit. Të lypim hirin për të qenë popull besnik i Hyjit, pa i kërkuar Zotit tjetër privilegj, që na largon nga Populli i Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.