2014-11-17 15:02:46

Më 17 nëntor kalenari kujton Shën Elizabetën e Hungarisë


Sot më 17 nëntor Kisha katolike përkujtoi Shën Elizabetën e Hungarisë, rregulltare. Elizabeta qe një ndër figurat më poetike e më në shenjë të shekullit XIII, jo për salltanet e famë, por për bukurí të mbinatyrshme virtytesh e shenjtëri jete. Ishte një ndër poemat e Artistit të Madh, Zotit të Kryqëzuar. E bija e Andreut II, mbretit të Hungarisë, krejt e re u fejua për Ludovikun IV, princin e Turingjisë në Gjermani, në oborr të të cilit edhe u rrit e u edukua.
Katërmbëdhjetë vjeçe u martua e, një vit më pas, pati fëmijën e parë. Pozita e saj si princeshë, si bashkëshorte e si nënë, nuk e pengoi asnjëherë të kryente vepra të mira dashurie për të varfër, për të sëmurë, për pleq e për të lënë mbas dore. Pas tyre e për ta shpenzoi të gjitha pasuritë e veta. Për ta, e sidomos për të gërbulur, s’e kurseu shërbimin.
Njëzet vjeçe mbeti e vejë, shtatzënë me të tretin fëmijë. Më pas u dëbua nga oborri i principatës. Vuajti salvime, varfëri, përbuzje, por s’i harroi kurrë të varfrit e të sëmurët. Vdiq terciare françeskane 24 vjeç, në vitin 1231 në Marburg, ku kishte hapur spitalin e të varfërve në emër të Shën Françeskut.







All the contents on this site are copyrighted ©.