Françesku: aborti dhe eutanazia janë dhembshuri e rreme; fëmijët nuk “prodhohen”
Papa Françesku mbajti dje një fjalim plot pasion në mbrojtje të jetës njerëzore, gjatë
takimit me Shoqatën e mjekëve katolikë italianë. Vërejti se duhet flakur tutje mëshira
e rreme, që propozon abortin, eutanazinë dhe “prodhimin” e fëmijëve. Jeta, theksoi,
është gjithnjë e shenjtë e njerëzit nuk mund të trajtohen kurrë si kafshë për eksperimente. Duhet të impenjohemi,
prandaj, për mjekimin e njeriut, pa harruar kurrë se jeta është e shenjtë e dinjiteti
i njeriut, i padhunueshëm. Françseku pohoi me forcë se misioni i Kishës lidhet ngushtë
edhe me jetën njerëzore, posaçërisht kur njeriu kalon çaste të vështira: “Kisha
ndjen edhe thirrjen të marrë pjesë në diskutimin, që ka si objekt jetën njerëzore,
duke paraqitur propozimin e vet, bazuar mbi Ungjillin”. Në shumë mjedise, shtoi,
cilësia e jetës lidhet kryesisht me mundësitë ekonomike, me mirëqenien, bukurinë,
me kënaqësitë e jetës fizike, duke i harruar fare përmasat e tjera më të thella, relacionale,
shpirtërore e fetare të saj: “Në të vërtetë, në dritën e fesë e të arsyes së
shëndoshë, jeta njerëzore është gjithnjë e shenjtë, gjithnjë “cilësore”. Nuk ka jetë
njerëzore, që të jetë më e shenjtë se një tjetër, siç nuk ka jetë njerëzore cilësisht
më domethënëse se një tjetër, vetëm sepse ka më shumë mjete, të drejta, mundësi ekonomike
e shoqërore”. Jeta njerëzore është gjithnjë e shenjtë, e vlefshme, e padhunueshme: “Mendimi
sundues nganjëherë propozon një mëshirë të rreme: abortin, të cilin e shikon si ndihmë
ndaj gruas, e edhe eutanazinë; ashtu si e quan fitore shkencore “prodhimin” e një
fëmije, që shikohet si e drejtë, në vend që të pranohej si dhuratë; ose përdorimin
e jetëve njerëzore si kafshë laboratori, me pretendimin se kështu mund të shpëtohen
jetë të tjera. Ndërsa dhembshuri ungjillore është ajo, që të shoqëron në çastin e
nevojës, ajo e Samaritanit të Mirë, që shikon, ka mëshirë, afrohet e jep ndihmë konkrete”. Misioni
juaj si mjekë, vijoi Papa, ju vë ditë për ditë në lidhje me forma të ndryshme të vuajtjes:
ju ikurajoj, prandaj, t’i merrni mbi vete, si samaritanë të mirë: “Besnikëria
ndaj Ungjillit të jetës dhe respektimi i saj, si dhuratë e Hyjit, nganjëherë kërkon
marrjen e vendimeve guximtare, që shkojnë kundër rrymës e që, në rrethana të veçanta,
mund të arrijnë edhe në kundërshtim për arsye të ndërgjegjes”. Më pas, duke
folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa shtoi, me qortim të thellë: “Por
të eskperimentosh është keq. Të ‘bësh’ fëmijë, në vend që t’i pranosh si dhuratë,
është keq. Është të luash me jetën. Kini mendjen, eh? Se ky është mëkat kundër Krijuesit:
kundër Hyjit Krijues, që i krijoi gjërat kështu”. Françesku kujtoi se, që
kur ishte meshtar, pati dëgjuar shumë herë vërejtje të ndryshme për abortin, nga njerëz,
që e shikonin si problem fetar. Jo, pohoi Papa, nuk është problem fetar, e as filozofik: “Është
problem shkencor, sepse kemi të bëjmë me një jetë njerëzore e nuk lejohet ta zhdukësh
jetën njerëzore, për të zgjidhur një problem. ‘E po jo, mendimi modern…’. Nuk duhet
harruar se si në mendimin e lashtë, ashtu edhe në atë modern, fjala ‘të mbytësh’ ka
të njëjtin kuptim. E njëjta gjë vlen për eutanazinë e fshehur. Por ka edhe më, apo
jo? E kjo është t’i thuash Zotit: ‘Jo, fundin e jetës e caktoj vetë, si të dëshiroj…’.
Mëkat kundër Hyjit Krijues, mendojeni mirë këtë!”.Françesku e përfundoi fjalimin
duke e inkurajuar shoqatën e mjekëve katolikë të vijojë në rrugën e nisur 70 vjet
më parë, gjithnjë në shërbim të jetës, në dinjitetin, shenjtërinë e pacënueshmërinë
e saj.