2014-11-16 17:35:28

25 vjet më parë, masakrimi i jezuitëve në San Salvador


25 vjet më parë, natën e 16 nëntorit 1989, gjashtë jezuitë dhe dy bashkëpunëtore të tyre, u vranë nga një grup paraushtarakësh, pranë Universitetit Qendroamerikan të El Salvadorit. Të shumta, manifestimet, për t’i përkujtuar “Martirët e Uca-s”, në qytete të ndryshme të Spanjës e të San Salvadorit.
Ishte nata e 16 nëntorit 1989. El Salvadori ishte në kulmin e luftës civile, ndërsa pak më parë bota kishte ndjekur me vëmendje të madhe shembjen e Murit të Berlinit, simbol i Luftës së Ftohtë. Ushtarët e batalionit kundër-guerriljes, të stërvitur në SHBA, depërtojnë në Uca, Universitet qendroamerikan, e, të armatosur me pushkë sulmi sovjetike, për të bërë që përgjegjësia të bjerë mbi rebelët e FMLN (Frente Farabundo Martí para la Liberación Nacional) shpërthejnë portat e selisë së jezuitëve, duke vrarë me të shtëna mitrolozi rektorin, spanjollin Ignacio Ellacuria, së bashku me sivëllezërit: Ignacio Martin Baro, Segundo Montes, Amando Lopez, Juan Ramon Moreno dhe salvadorianin, Joaquin Lopez, përveç kuzhineres, Elba Julia Ramos dhe së bijës pesëmbëdhjetë vjeçare, Celina Mariceth Ramos. Ishte kjo thjesht përpjekje për të zhdukur kokat, që mendonin; mendjet, që punonin për të shpëtuar një vend të shtypur. Për të asgjësuar atë Ellacurian, që shikohej si ndërmjetësues, nga i cili duhej pasur frikë, dhe gjashtë rregulltarët, angazhuar në formimin dhe në mbrojtjen e njerëzve më të varfër e më të ligshtë, sidomos, në mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve e në strehimin e tyre.
I vranë të gjithë, që të mos mbetej pas asnjë dëshmitar. Megjithatë, e vërteta doli në shesh, ndonëse drejtësia nuk e ka bërë ende punën e vet: përgjegjësit e këtij akti kriminal, ata që dhanë urdhër për zhdukjen e jezuitëve, Ministri i Mbrojtjes dhe anëtarë të tjerë të Komandës së Lartë, nuk u vunë kurrë në bankën e të akuzuarit, prej këndej, nuk pësuan kurrfarë dënimi.
Masakra e Uca-s mund të konsiderohet një nga mizoritë e fundit të Luftës së Ftohtë. Pas vdekjes së jezuitëve martirë, atë Michael Czerny, duke vënë në jetë trashëgiminë e tyre, drejtoi deri në vitin 1991 Institutin për të drejtat njerëzore të Uca-s. Sot flet, në mikrofonin tonë, për vlerën e flijimit të tyre, parë si trashëgimia më e çmuar, që u lanë breznive të sotme…

Pyetje: - Pra, flijimi i tyre nuk shkoi kot?

Përgjigje: - Jo, jo. Përkundrazi. Martirizmi i tyre, në radhë të parë, ishte faktor vendimtar për t’i dhënë fund luftës, sepse ua hapi sytë sidomos qytetarëve të SHBA. Ata bënë presion mbi qeverinë e tyre, për t’i modifikuar kushtet e mbështetjes, që i jepte qeverisë dhe ushtrisë së El Salvadorit. Por ajo që ka më shumë vlerë, është se këta martirë, ashtu si Jezusi, janë shenjë kundërshtie. Martirët dërgohen nga Hyji për të na kujtuar se duhet të impenjohemi vërtet për mbretërinë e Tij, e jo për punët tona e përfitimet tona egoiste.

Pyetje: - Atëhere mund të themi se flijimi i martirëve duhet shikuar si pasuria më e madhe, që na lanë trashëgim?

Përgjigje: - Sigurisht. I kujtojmë martirët, sepse kujtimi i tyre, ashtu si i Jezusit, na jep shpresë për një ardhmëri më të mirë!







All the contents on this site are copyrighted ©.