2014-11-14 17:44:50

Programi i shtegtimit të Papës në Sri Lanka e Filipine


Papa Françesku, nga 12 deri më 19 janar 2015, do të jetë për vizitë apostolike në Filipine. Programi i shtegtimit u zyrtarizua nga Salla vatikanase e Shtypit.
Tetë ditë shtegtim, vizitë në dy vende e, në fund, rikthimi në Vatikan. Me këtë ritëm do të shtegtojë Papa Françesku, që do të kthehet për herë të dytë në Lindje më 12 deri më 19 janar, për të vizituar më parë Sri Lankën, e pastaj, edhe Filipinet. Avioni Papnor do të zbresë në tokën e kryeqytetit srilankez, Kolombos, mëngjesin e 13 janarit. Takimet e para të Papës do të jenë me ipeshkvijtë vendas dhe liderët e feve të tjera, si dhe me kreun e Shtetit.
Ngjarja kryesore e ditës së dytë, kremtimi i Shenjtërimit të Giuseppe Vaz, i Lumi i parë në Indi e misionar në Ceilonin e lashtë ku, në vitet ‘700, përktheu Ungjillin në gjuhën cingaleze e në atë tamil; më pas, pasditen e 15 janarit, Papa Françesku do të largohet nga Kolombo, për të shtegtuar drejt bazës ajrore “Villamor” të Manilës.
Mëngjesin e mëpasëm, Papa do të takohet me autoritetet filipinase, me Trupin Diplomatik dhe do të kremtojë Meshën në Katedralen e Zojës së Papërlyer, ndërsa pasdite do të përqafojë familjet e vendit.
Të shtunë, më 17 janar, është në program një nga ngjarjet e tjera të mëdha të këtij shtegtimi, takimi në Takloban me njerëzit që shpëtuan nga tufani Haiyan, i cili nëntorin e kaluar shkaktoi 8 mijë viktima: të vdekur e të humbur. Papa Françesku do të kremtojë Meshën, do të takohet me priftërinjtë e rregulltarët e, më pas, do të rikthehet në Manila ku, të dielë, më 18 janar, do të përfundojë vizitën në Filipine, duke u takuar me të rinjtë e duke kryesuar Meshën në “Rizal Park” të Manilës.Në orën 10.00, me orën e Manilës, të hënën, 19 janar, avioni papnor do të niset drejt Romës në shtegtimin e gjatë të kthimit, që do të përfundojë rreth orës 17.40, në aeroportin e Çampinos.







All the contents on this site are copyrighted ©.