2014-11-14 14:42:42

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 33-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, të parafundit të vitit liturgjik, na tërheq vëmendjen edhe një herë e fton të jemi të vëmendshëm, të jemi gati e në pritje të gjykimit të Zotit mbi jetën tonë. Fjala e Hyjit këtë të diele na tregon se si e nga çka, njeriu besimtar duhet të ruhet gjatë udhës së tij fetare, për t’ia arritur cakut përfundimtar, jetës së përjetshme me Hyjin.
Pjesa ungjillore e kësaj së diele nga Mateu, na fton të jemi vigjilentë, të kujdesemi në mënyrë aktive, për të pasur mundësi një ditë të marrim pjesë në Mbretërinë e Hyjit, me fjalë tjera, për të fituar përjetësinë në Zotin. Përmes shëmbëlltyrës së ‘talenteve’, Ungjilli i kësaj së diele na fton të jemi të ndërgjegjshëm e të vëmendshëm “ndaj të mirave të krijimit dhe të hirit hyjnore që Ati Qiellor i ka besuar njeriut” (lutja në fillim të meshës). E kjo tregon se sa shumë Zoti na vlerëson. Atë që lypet nga ne, para planit hyjnor të shëlbimit, është përgjegjësia e guximshme që duhet të karakterizon çdo njeri që e pranon mesazhin e shpëtimit Hyjnor. Angazhimi konkret e inteligjent i njeriut në shumëllojshmërinë e dhantive (aftësive) dhe angazhimi i Zotit që dërgon të Birin e vet për të gjykuar, por sidomos, për të vlerësuar të mirën në jetën e njeriut, janë dy polet e ndërvarësisë rreth të cilave përqendrohen leximet biblike të kësaj së diele.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele është ftesë për t’i marrë mbi vete përgjegjësitë tona në jetë e në shoqëri, para Zotit; është ftesë të mos kemi frikë ti angazhojmë e investojmë aftësitë tona, në pritjen aktive të ardhjes së Mbretërisë së Hyjit. Lypet pra, të mësojmë çdo ditë ta zbulojmë planin që Zoti ka për ne e me dhe me krijimtari të punojmë për t’i vënë dhuratat, talentet, mundësitë që kemi në shërbim të të gjithëve, siç i quan Ungjillit aftësitë tona që kemi fituar prej Zotit.
Shëmbëlltyra e ‘talenteve’, për çka flet Ungjilli i së dielës, nënvizon detyrën që buron nga posedimi i talenteve, që Zoti na i ka dhuruar dhe besuar. Atë çka Zoti kërkohet nga ne për të fituar Mbretërinë e Hyjit, nuk është aq shumë prodhimi apo frytet që mund të sigurojmë, por impenjimi, përpjekjet tona të sinqerta që bëjmë për të sjell fryte e për të arritur rezultate pozitive. Pra, e vetmja gjë që kërkohet për të arritur shpërblimin, është angazhimi - përpjekja jonë me mish e me shpirt. Mbretëria Hyjnore, sigurisht që është dhuratë e Hyjit, por është edhe detyrë për atë që e fiton. Mungesa e angazhimit nga ana e shërbëtorit “të keq e dembel”, ndëshkohet nga zotëria në mënyrë të ashpër si akt krimi.
Në leximin e dytë, Shën Pali nxit besimtarët e Selanikut të angazhohen në detyrat e jetës së krishterë, duke u kujtuar atyre “ditën e Zotit”, shprehje kjo që na tërheq vëmendjen se një ditë të gjithë do të japim llogari para Zotit për veprat tona dhe talentet (të mirat) që Ai na ka falur. Të jemi “bijtë të dritës e të ditës” do të thotë të plotësojmë detyrën që kemi, por të veprojmë e punojmë mirë atë që bëjmë.
Leximi i parë e lartëson figurën e gruas ideale, të “gruas së vërtetë, të përsosur”, e cila “punon hareshëm” në shtëpi e në familje, duke merituar lëvdata publike.

Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Fu 31, 10-13. 19-20. 30-31)
Gruaja e përsosur punon me dëshirë me duart e veta.

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta.
Ku mund të gjendet një grua vërtet burrneshë? Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm. Zemra e burrit të saj ka besim në të dhe pasuria nuk do t’i mungojë. Ajo i bën mirë e kurrë keq në të gjitha ditët e jetës së vet. Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duar të veta. Furkën e merr në dorë e me gishta e sjellë boshtin. Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua shtrin dorën të mjerëve.
Hijeshia është e rrejshme e bukuria është e kotë: gruaja që e druan Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar! Le t’i gëzojë frytet e duarve të veta, le ta lavdërojnë para popullit veprat e saj! Fjala e Zotit.

Psalmi 128 (127)Ref: Lum njeriu që ecën udhës së Zotit
_____________________________
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës
së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh.
_____________________________
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
_____________________________
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
_____________________________

Leximi i dytë (1 Sel 5, 1-6) Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, për sa i përket kohës dhe momentit as nuk është nevoja t’ju shkruaj, sepse vetë e dini mirë se dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën. Ndërsa njerëzit do të thonë: “Ç’ paqe dhe ç’ siguri!”, shi atëherë, porsi dhimbjet e lindjes të gruas shtatzënë, do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.
Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi: sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ! Atëherë të mos flemë porsi tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë! Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 25, 14-30)
U dëftove besnik në sende të vogla, hyr në gëzimin e zotërisë tënd!

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. Njërit i dha pesë talente, tjetrit dy, e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij, e u nis për udhëtim. Menjëherë ai që mori pesë talente u çua dhe i shtiu në punë e me ta fitoi edhe pesë tjerë. Po ashtu edhe ai që mori dy talente, fitoi edhe dy tjerë. Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.
Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. E si doli para ai që kishte marrë pesë talente, i qiti përpara edhe pesë tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talente, ja, edhe pesë tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talente e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talente, ja, edhe dy tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja tani gjënë tënde!’ Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talente! Sepse atij që ka do t’i jepet më, e do të ketë me shumicë; e atij që s’ka do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh’!” Fjala e Zotit.

Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.