2014-11-14 14:19:00

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVII: Kongresi i Berlinit


Në emisionin e sotëm të ciklit, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon (Giovanni) Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, arrijmë tek Kongresi i Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878) dhe çështja shqiptare.

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, për të rishikuar Traktatin e Shën Stefanit. Merrnin pjesë 6 fuqitë e mëdha të Evropës: Anglia, Gjermania, Franca, Rusia, Austro-Hungaria, Italia. Punimet drejtoheshin nga kancelari gjerman Bismark.
I pranishëm edhe një delegacion i Perandorisë Osmane, kryesuar nga ministri i jashtëm, Kara Theodor Pasha, me ndihmës të parë, Mehmet Ali Pashën, mareshall turk me origjinë gjermane. Ky delegacion nuk kishte të drejtë t’i votonte vendimet e Kongresit. Të pranishëm, edhe delegacionet e shteteve ballkanike. Ndërsa shqiptarët, posaçërisht përfaqësuesit e Lidhjes së Prizrenit i paraqitën Kongresit kërkesat e tyre: mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe të drejta të tjera, që çonin drejt autonomisë. Kërkesat iu përcollën Kongresit prej një delegacioni, kryesuar nga Abdyl Frashëri, me peticionin e miratuar në Lidhjen Prizrenit, më 15 qershor.
Po fuqitë e mëdha nuk i përfillën fare kërkesat e përfaqësuesve të Shqipërisë. Madje e injoruan fare ekzistencën e saj, me shprehjen e mirënjohur të Kancelarit gjerman: “Shqipëria është një shprehje gjeografike”. Ndërsa Malit të Zi, si iu mohua zgjerimi në veri, iu ‘dhuruan’ krahinat shqiptare të Tivarit, Podgoricës, Plavës, Gucisë, Rugovës e Kolashimit. Nuk iu njoh aneksimi i Ulqinit, por anijeve tregtare malazeze iu dha e drejta të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në Liqenin e Shkodrës. Greqisë ‘iu dhurua’ Çamëria. Në protokollin n. 13 me kërkesën e Francës e të Austro-Hungarisë, u njohën ‘venomet’ e Mirditës. Ky protokoll thellonte ndikimin austro-hungarez, që gëzonte prej kohësh, bashkë me Francën, të drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të Perandorisë osmane, por i mohonte Shqipërisë interesat e saj jetike. Prej këndej, vendimet e Kongresit u pritën me rezistencë heroike nga ana e shqiptarëve, që kaluan nga protokollet tek pallat, duke i mbrojtur me gjak ato toka shqiptare që, megjithatë, kaluan në dorë të Malit të Zi, me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha.
Ja si e përshkuan Atë Fishta ‘Kongresin e Berlinit’ në Lahutë të Malcís:
“… tue u rrasë kje Shkjau Stambollit,
Me zhbî mretin n’post të vet
veç se u ranë krajlat ndërmjet.

Sot t’ Shtatë krajlat e Sulltani,
N’atë Berlin na janë bashkue,
Na kanë nisë me bisedue,
Për me vu paqë edhe besë,
Për me shue luftë e ngatrresë,
Zemër të keqe, mëní e resë,
Tue ngulë gurë, tue ngulë kufi,
Përgjithë vend, për gjith mbretní”.

I shuan, apo i ndezën më keq ngatërresat, të shtatë krajlat? Poeti Kombëtar i jep përgjigje ndërhyrjes së tyre grabitqare në fatet e Shqiptarëve, me vargjet:
“S’ka shka bân ndër ta i huej
Se ata gjallë s’i shtrohen kujë
n’dashtë t’jetë Knjaz e n’dashtë t’jetë Mbret
Se ata Mbret ishin n’dhe të vet:
Fort gabon, kush i gerget!”

(Lahuta, Romë, 1989, fq 90)







All the contents on this site are copyrighted ©.