2014-11-07 14:52:01

Navarro-Valls: Gjon Pali II e dinte se Muri i Berlinit do të binte


Kësaj së diele, e gjitha bota kremton 25-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ngjarje, që e ndau më dysh historinë bashkohore. Sipas gjykimit pothuaj të njëzëshëm të historianëve, Gjon Pali II ishte ndër ata, që më shumë se të tjerët, kontribuoi për ta hedhur poshtë perden e hekurt, e cila mori me vete në humbëtirë edhe “perandorinë” sovjetike. Por si e përjetoi Karol Wojtyla 9 nëntorin e vitit 1989? Intervistuam ish-drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, Joaquin Navarro-Valls. Ja ç’na tha:RealAudioMP3
Kur kthehemi pas me kujtesë, ndoshta, e kapim edhe më mirë përmasën e jashtëzakonshme të asaj ngjarjeje: një përmasë, që nuk është kryesisht politike, por njerëzore. Aspekti tjetër, për t’u nënvizuar – që natyrisht, e bën atë ngjarje, historike nga të gjitha këndvështrimet, por edhe befasuese – është se ai ndryshim gjigant, i përfaqësuar nga rënia e Murit të Berlinit, u bë pa gjakderdhje.
Si reagoi shën Gjon Pali II gjatë kësaj ngjarjeje epokale? A kujtoni ç’ndodhi para mbrëmjes së 9 nëntorit 1989?
Çuditërisht, ai gati-gati e priste. Kjo mundësi hynte plotësisht në mënyrën e tij të mendimit e për të ngjarja gati nuk përbënte lajm. Natyrisht, elementi i befasisë aty, ishte data… Por, në të gjitha ato vite, që kanë qenë 10 – që nga viti 1979, datë e udhëtimit të tij të parë në Poloni, e deri në vitin 1989, pra 10 vjet – ai vazhdoi të shkojë në Poloni, vazhdoi me mesazhin e tij… Ishte punë e jashtëzakonshme, madje, do të thosha se pati bërë një kryevepër të jashtëzakonshme gjatë atyre viteve.
Edhe kur askush nuk shpresonte më, Karol Wojtyla besonte vendosmërisht në rënien e Murit të Berlinit e në fundin e perandorisë sovjetike…
Më duket se po, madje, jam i bindur për këtë! Ai pati thënë që në fillim, menjëherë pas udhëtimit të parë në Poloni, në vitin 1979, se gabimi më i madh, gabimi themelor i socializmit real ishte antropologjik. Kjo i befasoi edhe kancelaritë evropiane dhe amerikane. Ai e kuptonte fort mirë se gabimi bazë i këtij socializmi real ishte me natyrë antropologjike: këndvështrimi i gabuar mbi njeriun. Ai njeri i ri, që komunizmi dëshironte ta rikrijonte, që të funksiononte shoqëria e imagjinuar nga komunistët, ishte një mit, një gabim i madh. Prandaj, Papa e priste këtë ndryshim e prandaj, vazhdonte ta përsëriste mesazhin e tij për 10 vjet me radhë, derisa u kuptua mirë nga gjithë Evropa Qendrore e Lindore.
Mikhail Gorbaciov pohon se pa Gjon Palin II nuk mund të kuptohet ç’ndodhi në Evropën e atyre viteve e sidomos, në vitin 1989…
Kam pasur rast të flas disa herë me Mikhail Gorbaciov. Herën e parë, në vitin 1988. Në vitin 1989 i pati shkruar një letër të gjatë Gjon Palit II, të cilën, natyrisht, e kam lexuar. Në atë letër, një nga gjërat më të habitshme për mua ishte fakti se ai citonte shpesh e fjalë për fjalë ato, që quhen ‘enciklikat shoqërore’ të Gjon Palit II. S’ka dyshim se aty pati gjetur pika fyrmëzimi për ndryshimet që propozoi. I pati gjetur në çka shkruante e thoshte Gjon Pali II. Pohimi i tij se pa punën, praninë e fjalët e Gjon Palit II nuk mund të kuptohet ç’ndodhi në Evropë, jo vetëm është i sinqertë, por është edhe e vërtetë historike.
Në fjalimin mallëngjyes në Portën e Brandenburgut, në vitin 1996, shën Gjon Pali II theksoi me forcë se njeriu është krijuar i lirë nga Zoti. E përsëriti këtë disa herë. Ky është mesazhi më i fuqishëm, që mbetet?
Në një farë mënyre, po. Por, duhet të kujtojmë edhe se Gjon Pali II, i cili e përdorte shpesh fjalën “liri”, e shoqëronte gjithnjë me konceptin e së vërtetës. Nëse njeriu mund të jetë i lirë e të vendosë, kjo ndodh sepse mund të njohë të vërtetën e për rrjedhojë, është njohja e së vërtetës, që i jep më pas mundësinë të vendosë e të veprojë. Në kuadrin e socializmit real, kjo ishte diçka krejtësisht e re, sepse komunizmi ishte perandoria e mashtrimit të organizuar. Këtu qëndronte puna, të pretendohej njohja e së vërtetës. E kjo, të lidhej ngushtë me konceptin e lirisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.