2014-11-06 13:00:26

Liria fetare: sipas lëvizjes “Ndihmë për Kishën që vuan” gjendja e të krishterëve të Irakut vijon të keqësohet


Respekti ndaj lirisë fetare sot vijon të pakësohet. Sipas të dhënave, të krishterët janë grupi fetar më i persekutuar në botë, ndërsa ndryshimet e regjistruara lidhur me kushtet e pakicave fetare, flasin për rëndimin e situatës së brendshme të disa vendeve. Me këto përfundime na njeh Raporti i 12-të mbi lirinë fetare në botë, paraqitur këto ditë në Romë nga “Ndihmë për Kishën që vuan” (Acs). Dokumenti, që botohet çdo dy vjet nga Fondacioni i së drejtës papnore, fotografon shkallën e respektimit të lirisë fetare në 196 vende, me vështrimin ngulur mbi bashkësitë e krishtera, por edhe mbi gjithë njerëzit e çdo besojme.RealAudioMP3

Iraku, Libia, Nigeria, Pakistani, Siria, Sudani: janë këto, vendet në të cilat “Ndihmë për Kishën që vuan” vëren një keqësim të ndjeshëm të shkeljeve të lirisë fetare, në periudhën ndërmjet tetorit 2012 e qershorit 2014. Një rast i posaçëm, që pasqyron situatën në Lindjen e Mesme, karakterizuar nga përparimi i të vetëquajturit Shtet islamik (Is) e nga fenomeni, në rritje, i emigrimit në masë, është ai i të krishterëve të Irakut. Për këtë flet, në mikrofonin tonë, Peter Sefton-Williams, kryetar i komitetit për hartimin e Raportit Acs mbi lirinë fetare në botë:

Përgjigje: - I suppose it’s the worst example at the moment…
Besoj se shembulli i Irakut është më i keqi. Në korrik të 2014-tës, xhihadistët e të vetëquajturit Shtet islamik hynë në Mosul. Atje jetonin 30 mijë të krishterë, të cilëve u thanë: “Mund të ktheheni në fenë islamike, përndryshe, nisuni e shkoni; por nëse nuk ktheheni e vijoni të qëndroni këtu, atëhere do të vriteni!”. Kështu të gjithë të krishterët u larguan; nuk kishin rrugëdalje tjetër. E, për herë të parë në 1600 vjet, në këtë qytet të lashtë të krishterë, nuk kremtohen më liturgjitë e krishtera. E ky është shkandull absolut. Fatkeqësi për mbarë botën, që kjo t’u ndodhë vëllezërve të krishterë pikërisht në epokën tonë.

Pyetje: - E me pakicat e tjera që jetojnë në Irak, ç’po ndodh?

Përgjigje: - Acs' Report very clearly...
Raporti i Acs vë në dukje qartë se nuk po vuajnë vetëm të krishterët. Besoj se është korrekte ta thuash. Edhe Papa Françesku e ka vënë në dukje. Siç e tregon ky Raport, edhe myslimanët u nënshtrohen persekutimeve të forta, e duhet thënë se kjo ndodh herë për shkak të sulmit të myslimanëve të tjerë e herë për shkak të ndërhyrjeve të vetë shteteve autoritare. Kështu ndodh, për shembull, në Azinë qëndrore, ku problemi krijohet për shkak të shteteve autoritare dhe grupi më i rrezikuar është ai i myslimanëve, që persekutohen pa mëshirë në vende si Taxhikistani ose Azerbajxhani. Jeta në këto zona është vërtet e vështirë, sidomos për grupet e myslimanëve minoritarë, si për shembull për shiitët, që jetojnë në Pakistan, ose për myslimanët ahmadi: ka shumë mundësi që jeta e tyre në këtë vend të jetë edhe më e keqe se për pakicat e krishtera pakistaneze.

Pyetje: - E nga Afrika, ç’lajme sillni?

Përgjigje: - Africa is in one sense a good-news-story. There are not many good-news-stories…
Në një farë mënyre, Afrika përfaqëson një lajm të mirë. Megjithëse nuk ka shumë histori me lajme të mira. Në disa pjesë të Afrikës, si në atë Qendroafrikane dhe në veri të Nigerisë, veprojnë grupe të dhunshme islamike, grupe xhihadiste, ndërmjet të cilave, më i njohuri, është Boko Haram, me histori dramatike, si rrëmbimi i 200 studenteve dhe ngjarje të tjera të hidhura. Por duhet kujtuar se, siç thuhet qartë në Raport, shumica e afrikanëve jeton në kushtet e bashkëpunimit fetar e jo në ato të ndeshjes fetare. Në një farë mënyre Afrika është bërë fanar për mbarë botën, sepse u mëson të gjithëve të jetojnë bashkë, me frymë bashkëpunimi. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Amerikën Latine, ndonëse edhe këtu nuk mungojnë zona diskriminimi. Në Venezuelë disa grupe fetare pësojnë kontrolle nga ana e shtetit, por në përgjithësi, duke përshkuar Amerikën Latine, mund të vërejmë një kuadër fetar të ndryshëm: jo vetëm katolikët, por edhe ungjillorët e protestantët, që këtu janë të shumtë - në Karaibe, për shembull, e në të gjithë Amerikën Latine - jetojnë qetësisht pranë e pranë.

Pyetje: - Ditën e përkujtimit të të vdekurve, Papa Françesku u lut për vëllezërit e motrat e vrara vetëm sepse të krishterë. Ç’shpresoni për të ardhmen?

Përgjigje: - I think the hope for the future lies in religious leaders like Pope Francis…Mendoj se shpresa për të ardhmen lidhet me përgjigjet që do t’u jepen thirrjeve të prijësve, si Papa Françesku, që lartojnë zërin për të denoncuar persekutimet. Javën e kaluar, 120 imamë i shkruan një letër të hapur kreut të të vetëquajturit Shtet islamik në Irak, duke pohuar se mënyra si veprojnë xhihadistët është krejtësisht e papranueshme. Për mua, ky është shembull: kemi nevojë për më shumë nisma të këtij tipi nga krerët fetarë, që duhet të veprojnë si Kisha katolike. Shpresoj që ky Raport të jetë shembull, që tregon si flet Kisha për nevojat e grupeve të tjera fetare, duke denoncuar haptas, kur ndonjë nga vëllezërit tanë shtypet, gjë që na prek të gjithëve, në të njëjtën mënyrë.







All the contents on this site are copyrighted ©.