2014-11-06 13:01:38

Liria fetare: sipas Pascale Warda, gjendja e të krishterëve në Irak keqësohet


Sipas të dhënave të Raportit të 12-të të Acs mbi lirinë fetare në botë, të krishterët janë grupi fetar më i persekutuar, ndërsa kushtet e jetesës të pakicave fetare, flasin për rëndimin e situatës së brendshme të disa vendeve. Dokumenti, që botohet çdo dy vjet nga Fondacioni i së drejtës papnore, fotografon shkallën e respektimit të lirisë fetare në 196 vende, duke u përqendruar kryesisht mbi bashkësitë e krishtera, por edhe mbi gjithë njerëzit e çdo besojme.

Për realitetin irakian dëshmon Pascale Warda, themeluese e Shoqatës irakiane të të drejtave të njeriut, ish-ministre për politikat e emigracionit të Bagdadit, intervistuar nga Radioja jonë:
Përgjigje: - Les Chrétiens sans protection, ils voient qu’il n’y a pas d’autre solution que…
Të krishterët e lënë pa mbrojtje, nuk kanë rrugëdalje tjetër, veç ikjes, po kjo nuk është e drejtë. Jemi pjesë e një të tëre, që quhet Irak. Ka edhe të tjerë, që janë vënë në shënjestër, por sigurisht të krishterët janë më të goditurit, njëherësh me jazidët, anëtarë të një feje tjetër, tejet të lashtë. Pra këto dy pakica, nëse mund të quhen kështu popujt më të parë të këtij vendi, popuj me rrënjë tejet të lashta, janë pa asnjë farë mbrojtjeje. E tregon fakti që, në Mosul, u lëshuan në dorë të xhihadistëve, ndërsa në Rrafshin e Ninives, u braktisën përballë sulmeve të egra të kundërshtarëve fanatikë. E kjo ndodhi në Karakosh e në rrethinat e Mosulit....

Pyetje: - Me shoqatën tuaj, ju punoni për t’i ardhur në ndihmë pakicave e shumë refugjatëve, që ikin, përballë dhunës së papërballueshme. Në ç’kushte jetojnë këta njerëz sot?

Përgjigje: - Très grave, leur condition est vraiment inhumaine…Në kushte shumë të vështira. Kushtet e tyre të jetesës janë vërtet çnjerëzore. Disa ditë më parë isha në kampin, që strehon refugjatë të krishterë e jazidë, të cilët jetojnë edhe më keq. Nuk kanë as çadra për të mbuluar kokën, por vetëm strehë të rastit. Jetojnë nën ndonjë pemë, në trotuare, në rrugë të madhe. Të tmerron ajo, që e shikon me sytë e tu. Duhet ta përballojmë gjithë këtë, por është i nevojshëm organizimi në planin ndërkombëtar. Vetë Kombet e Bashkuara zhvillojnë shumë veprimtari e, megjithatë, nuk janë të mjaftueshme e nuk ia dalin mbanë të bëjnë më shumë. Probemi numër një është ai i banesave. Këta njerëz jetojnë nën shi e, së shpejti, edhe nën flokë dëbore. Prej këndej, është e domosdoshme të furnizohen së paku strehimet, parafabrikatet, karvanet... Unë vetë paraqita në ambasadën e Francës një projekt, që ka të bëjë pikërisht me karvanet. Duhet gjetur vend për njerëzit, që të mund të ngrohen e ta rifitojnë sadopak dinjitetin e humbur.







All the contents on this site are copyrighted ©.