2014-11-05 14:52:47

Pakistan: protesta në Lahore për çiftin e krishterë, që e dogjën të gjallë


“Një fakt tragjik. Të sulmosh e t’i djegësh të gjallë dy të pafajshëm, mbi bazën e hamendjeve të thjeshta, do të thotë të tallesh me sistemin gjyqësor”. Kështu flet ipeshkvi i Islamabad/Ravalpindit, imzot Rufin Anthony për agjencinë katolike AsiaNews, ndërsa përshkruan djegjen e një çifti të krishterë me katër fëmijë, të cilët, më parë u gjuajtën me gurë e pastaj u dogjën të gjallë nga një turmë prej 400 vetësh, me në krye një udhëheqës mysliman të zonës, që e akuzonte çiftin për blasfemi.
Ngjarja e shëmtuar ndodhi dje, në Kasur, rreth 60 km larg Lahores, në provincën pakistaneze të Punjab-it, por sot ka marrë dhenë, sepse është raportuar nga pothuaj të gjitha organet e shtypit. Deri tani, policia ka marrë në pyetje 45 vetë, por askush nuk është akuzuar zyrtarisht. “Në të kaluarën – nënvizon ipeshkvi – kemi parë turma, që ushtrojnë presion e bëhen vetë gjykatës, ndërsa krerët fetarë as që e kanë marrë mundimin të shprehin ndonjë dënim. Madje, gati e kanë nxitur hakmarrjen personale. Nëse do të ishin marrë masat e duhura në të kaluarën, ndoshta, këto barbari nuk do të kishin ndodhur”.
Nuk dihet ku ndodhen katër fëmijët e çiftit, ndërsa autorët e kësaj dhune të pashoqe janë fshehur. Krerët e fesë së krishterë, veprimtarët e të drejtave të njeriut dhe anëtarë të shoqërisë civile pakistaneze vijojnë të shprehin indinjatën e tyre për ngjarjet e djeshme në Lahore. Sot, të krishterët kanë manifestuar, duke i bërë thirrje qeverisë të respektojë drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, sidomos për pakicat. Përsa i përket ligjit për blasfeminë, kërkohet ndërhyrja e OKB-së.
Nga ana e tij, Këshilli mysliman i Ulemave të Pakistanit kërkon hapjen e një hetimi të pavarur. Në një notë, kryetari i Këshillit e dënon dhunën, shpreh dhimbje për ngjarjen dhe pohon se ajo nuk do të kishte ndodhur, nëse policia lokale do të kishte treguar kujdesin e duhur. Nëse çifti i krishterë ishte vërtet fajtor, pyet në një notë Këshilli i Ulemave, “përse policia nuk e arrestoi, pas denoncimit të vendasve myslimanë? E nëse nuk ishin fajtorë, pse nuk u mbrojtën nga reagimi i pakuptimtë i njerëzve?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.