2014-11-05 14:16:05

Fitore e republikanëve në SHBA në zgjedhjet e gjysëm-mandatit


Republikanët amerikanë marrin në dorë të dyja Dhomat e Kongresit. Kishte ditë, që vihej në dukje rreziku i zgjedhjeve të gjysmës së mandatit për presidentin e majtë Barak Obama. Frika më e madhe e demokratëve ishte pikërisht kalimi i Senatit në duart e republikanëve, gjë që jo vetëm ndodhi, por u shoqërua edhe me shtimin e deputetëve republikanë në Dhomën e Ulët të Kongresit, ku edhe më parë ata ishin shumica. Që prej tetë vjetësh, republikanët nuk i kontrollonin më të dyja dhomat së bashku, ndërsa një shumicë të tillë (242 vende) në Dhomën e Ulët si kësaj here, nuk e zotëronin që nga fundi i Luftës II Botërore. Shenjë e qartë se politika e Obamës nuk funksionon më për një popull, që është mësuar të gjykojë rezultatet. Të dëgjojmë komentin e pedagogut të studimeve strategjike në Universitetin italian “Luiss”, Germano Dottori:RealAudioMP3
“Sipas meje, është një fazë politike shumë delikate, edhe sepse do të përkojë faktikisht me fillimin e fushatës për zgjedhjen e presidentit në vitin 2016. Obama do të ketë vështirësi si në vazhdimin e politikës së tij të jashtme – për të cilën, ndër të tjera, kundërshtohet edhe nga sektorë mjaft të mëdhenj të partisë së vet – ashtu edhe në realizimin e mbrojtjen e disa reformave të brendshme më të rëndësishme, të cilat ai ka ndërmend t’i lerë si trashëgimi politike të vetën”.
Fitorja e së djathtës parashikohej gjerësisht nga sondazhet, por qe edhe më e madhe se parashikimet. Së paku shtatë, shtetet që kaluan nga demokratët në dorën e republikanëve: North Carolina, Arkansas, Colorado, Iowa, West Virginia, Montana, South Dakota. E këto dy të fundit konsideroheshin pa diskutim “pronë” e demokratëve. Sërish, prof. Dottori:
“Është e qartë se kemi të bëjmë me një efekt zinxhir, nga i cili përfituan shumë kandidatë, që nuk ishin të favorizuar në prag të zgjedhjeve. Më duket se Partia Republikane kontrollon tashmë Mead West-in – që historikisht ka qenë një nga kështjellat e saj më të rëndësishme – dhe ruan pozicione me vlerë strategjike në Jug, si Florida. Megjithatë, unë mendoj se është e parakoshme të përcaktojmë se si do të shkojnë zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pas dy vjetësh. Kjo, sidomos për këtë arsye: Partia Demokratike, në këtë çast, zotëron një numër më të madh personalitetesh, që mund të kandidojnë për president, ndërsa republikanët kanë problemin e zgjedhjes së një individi, në të njëjtin nivel me kundërshtarin. Ata janë tepër të përçarë brenda partisë. Pastaj, duhet kujtuar se kur amerikanët votojnë për presidentin zgjedhin personin e jo partinë, prandaj dinamika mund të jetë shumë e ndryshme nga ç’pamë gjatë kësaj fushate për zgjedhjet e gjysëm-mandatit”.
Sipas shtypit, Obama është dënuar nga votuesit për premtimet e shumta të parealizuara e për mungesën e dorës së fortë në sektorin e ekonomisë e të politikës së jashtme.








All the contents on this site are copyrighted ©.