Festat 1 e 2 nëntorit: kuptimi jetës në bashkimin e plotë me Zotin
Ditët e para të nëntorit, kur kremtojmë festën e të Gjithë Shenjtorëve dhe përkujtojmë
të Gjithë Besimtarët e vdekur, Kisha na fton ta lartojmë sytë, ta çajmë e të depërtojmë
qiellin e mbyllur përmbi kokat tona e të shikojmë përtej tij. Të kundrojmë bashkësinë
e të shëlbuarve, të shenjtorëve, të gjallë me Zotin; t’a ndjejmë praninë e tyre e
bashkimin e tyre me ne, në shtegtim. Ta shprehim lidhjen tonë shpirtërore me të vdekurit,
me kujtim, lutje, shpresë. Dhurata e Zotit nuk është thjesht premtimi për jetë
më të mirë në këtë botë, por kumti se kuptimi i fundit i jetës sonë është përtej kufijve
të kësaj bote, në bashkimin e plotë me Zotin, që e presim në fundin e kohëve. Përmes
dy kremtimeve të 1 2 nëntorit, Kisha, shtegtare mbi tokë na fton të jetojmë dhe të
shprehim, përmes Liturgjisë Shenjte, hallkën shpirtërore që na bashkon me Kishën qiellore,
në Amshim më Hyjin. Kremtimet fetare të këtyre ditëve të para të nëntorit, pra, na
ndihmojnë të thellojmë dy nga të vërtetat themelore të fesë së krishterë, që besojmë:
“Shoqërinë e Shenjtërve dhe të ngjallurit e korpit”. Po kujtojmë se festa e
të Gjithë Shenjtërve u përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VII,
për t’i kujtuar tërë të krishterëve thirrjen e tyre: të jetojnë sipas mësimeve të
Krishtit, të synojnë shenjtërinë e të kenë si ideal, përsosurinë. E rrugët e shenjtërisë
së jetës së çdo njeriu janë të panumërta, në përkim me thirrjen e secilit besimtar,
ndërsa vetë shenjtëria është masa më e lartë e jetës për çdo të krishterë. Jeta
na është dhuruar për të kërkuar Zotin, Vdekja për ta gjetur, Amshimi për ta
shijuar për gjithmonë.