Çelësi i fjalëve të Kishës: vdekja, në kuptimin e krishterë
Të dashur dëgjues sot do të flasim për një argument të vështirë, pasi ka të bëjë me
fatin tonë të fundmë e me ndjenjat për të afërmit që na rrethojnë. Do të flasim për
“vdekjen” dhe kuptimin e saj të krishterë, ndërsa afrohet festa e të shumëve,
që Kisha e kremton më 2 nëntor, por edhe ajo e të Gjithë Shenjtorëve, në aradhen e
të cilëve, secili prej nesh shpreson të gjejë të afërmit e vet, që e kanë lënë këtë
botë.
Sot është
bërë e vështirë të flitet për vdekjen, e cila paraqitet si një lloj tabuje, për të
cilën s’duhet menduar aspak. Ndonjë predikatar e përdor edhe keq këtë koncept, deri
aty sa të mbysë kënaqësinë për të jetuar, por në pjesën më të madhe të shoqërisë së
sotme, po bëhet ç’është e mundur për ta mënjanuar, për të mos e takuar. Mjetet
e komunikimit e shndërrojnë vdekjen në lajm, ose e spektakularizojnë atë, por reflektojnë
pak e nuk bëjnë asnjë lloj vlerësimi për humbjen e jetës. Njeriu i sotëm përpiqet
të ndërtojë çdo lloj pengese mes tij dhe vdekjes, a thua se nuk është diçka që na
takon të gjithëve, a thua se nuk jemi të gjithë “qenie të vdekshme”? Pasojë e
kësaj gjendjeje është organizimi burokratik i vdekjes. Në të kaluarën, njerëzit vdisnin
kryesisht në gjirin e familjes, vdekja përfaqësonte një ngjarje personale, mesazhin
më të lartë të një njeriu dhe të gjithë, edhe të huajt, dinin si të silleshin. Arkivoli
çohej (shpesh në krahë) e nuk dërgohej (shpesh me makinë) si pako postale në varreza.
Kalonte nëpër rrugë me një procesion të ngadalshëm e dyqanet mbyllnin dyert në shenjë
respekti. Sot, gjithçka u delegohet strukturave të ndryshme si spitaleve, azileve,
firmave funebre dhe vdekja po bëhet kështu një ngjarje jo personale, gati mekanike
e në shumë raste burim fitimi. Njeriu vdes larg nga të dashurit e vet, në një dhomë
që s’është e tij e ku s’ka asgjë të tij, larg nga zhurmat e qytetit, a thua se gjatë
kalimit në jetën e pasosur nuk duhet t’i dëgjojë ato. Të gjithë luajnë një rol, mbajtja
e zisë nuk konsiderohet më e domosdoshme, prandaj pothuaj është zhdukur. Edhe i vdekuri
duket sikur duhet të kërkojë falje, pasi i ka shkaktuar shqetësime dikujt. Njeriu
është përpjekur gjithnjë të reflektojë mbi vdekjen, e gati instinktivisht, ka menduar
gjithnjë se fati i vet nuk përfundon me të. Shumë filozofë kanë shprehur teori të
ndryshme. Platoni mendonte se fati i njeriut fillon në momentin kur shpirti çlirohet
nga trupi e më i fundit, Martin Haideger pyet nëse në vdekjen përmbahet sekreti i
planit mbi njeriun. Por gjithnjë vdekja mbetet si një përvojë limite, prandaj,
sidomos fetë janë përpjekur të zgjidhin enigmën e saj, duke dhënë përgjigje të ndryshme,
por me një perspektivë të përbashkët, atë të jetës së amshuar pas vdekjes. Feja e
krishterë bazohet mbi këtë bindje origjinale: Krishti ka fituar mbi vdekjen me anë
të vdekjes së vet. Koncili II i Vatikanit thotë: “Zoti e thërret njeriun që të shtrëngohet
me të me krejt natyrën e tij, në një bashkim të vazhdueshëm me jetën e pakorruptuar
hyjnore. Kjo është fitorja e Krishtit, i cili është ringjallur e kthyer në jetë, pasi
e ka çliruar njeriun nga vdekja përmes vdekjes”.