2014-10-30 15:25:00

Papa Françesku një Meshë solemne në Vatikan për Amerikën Latine


Papa Françesku do të kremtojë një Meshë solemne për Amerikën Latine në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, më 12 dhjetorin e ardhshëm në ditën e festës së Zojës sonë të Bekuar të Guadalupes, pajtores qiellore të kontinentit latino-amerikan. Ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar të Guadalupes, Papa do t’ia besojë “ungjillëzimin e popujve të saj, rritjen e tyre njerëzore dhe ndërtimin e kushteve për paqe, drejtësi e bashkim ndërmjet Kombeve të saj”, njofton Komisioni Papnor ‘Pro America Latina’.
Mesha, që fillon në ora 18.00, do të paraprihet nga hyrja në Bazilikë e flamujve të të gjitha Shteteve të kontinentit, në shenjë nderimi të figurës shenjte të Pajtores qiellore, e pastaj do të thuhet lutja e “Rruzares Gudalupane” dhe një uratë e Ardhjes, që do t’i shoqërojë këngët tradicionale popullore të Amerikës Latine. Kremtimi i kryesuar nga Papa Françesku do të transmetohet në shumë Vende të Kontinentit latinoamerikan.
Mesha e Shenjtë – njofton Komisioni Papnor për Amerikën Latine – do të shoqërohet me këngët e meshës - “Misa Crioll” - të kompozitorit argjentinas Ariel Ramìrez, ekzekutimi i të cilave do të bëhet nga grupi i njohur muzikor argjentinas, me të njëjtin emër, udhëhequr nga djali i kompozitorit, Facundo Ramìrez.
Një ditë pas kremtimit të Meshës, Komisioni Papnor për Amerikën Latine ka organizuar një “ngjarje guadalupane”, që do të mbahet në Auditoriumin ‘Augustinianum’ në afërsi të Vatikanit, për të studiuar edhe më thellë ngjarjen e dukjeve të Zojës së Bekuar dhe domethënien e mesazhit të Zojës së Guadalupes, në zanafillën e popujve amerikanë e para sfidave të botës aktuale.
Ende sot, me mijëra shtegtarë nga mbarë bota gjunjëzohen para figurës së Zonjës së Bekuar, për të vënë në duart e saj zemrën e tyre e të mbarë Kishës. Luten e kujtojnë vitin e largët 1531, kur Virgjëra Mari deshi t 'i dukej papritmas Huan Diegos, fshatarit të varfër të fisit Chichimek, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi ta besonte - për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e Huan Diegos la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë.
Zoja e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, - ka thënë kryeipeshkvi i Qytetit të Meksikos, kardinali Norberto Rivera Carrera - është një mesazh për bashkim ndërmjet popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin.
Bazilika, që na kujton këtë ngjarje, sipas traditës, nisi të ndërtohej pasi Zonja e Bekuar, ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531, iu duk pesë herë me radhë indianit Huan Diego, një ndër vendasit e parë të kthyer në fenë e krishterë. Emri Guadalupe vjen nga fjala indiane "Coatlaxopeuh" "Ngadhënjyesja mbi gjarprin": më 1737 Zoja e Guadalupes u shpall "Pajtore e Meksikës"; më 1910 "Pajtore e Perandoreshë e Amerikës", më 1935 edhe e Filipineve. Prandaj në të hyrë të Bazilikës shpalosen 24 flamujt e vendeve amerikane dhe ai i Filipineve.







All the contents on this site are copyrighted ©.