2014-10-31 10:46:50

Papa Françesku: Të qëndrosh krah të varfërve është Ungjill, jo komunizëm


Toka, shtëpia, puna. Këto ishin tri pikat themelore, rreth të cilave reflektoi Papa Françesku të martën e kaluar, në takimin me pjesëmarrësit e Lëvizjeve Popullore, mbledhur në Romë nga e gjithë bota. Ati i Shenjtë nënvizoi se duhen rigjallëruar demokracitë, duhet zhdukur uria dhe luftrat, u duhet garantuar të gjithëve dinjiteti, sidomos më të varfërve e më të mënjanuarve.
Papa Françesku foli plot pasion, dha shpresë, por edhe denoncoi njëkohësisht, e fjalët e tij bënë xhiron e botës, duke marrë vlerën e një enciklike të vogël të Doktrinës Shoqërore të Kishës. Që në Argjentinë, Horhe Mario Bergolio njihej si person, që u qëndronte gjithnjë afër bashkësive popullore si “cartoneros” dhe “campesinos”. Lëvizjet Popullore janë mishërimi i solidaritetit, por u duhet të përballojnë pasojat shkatërruese të perandorisë së parasë. Papa vuri në dukje se nuk mund të fitohet mbi varfërinë vetëm duke e kufizuar atë, sepse kjo i kthen të varfërit në njerëz pasivë. Ati i Shenjtë u ndal në tri pika kryesore:
“Toka, çatia mbi krye dhe puna. Është e çuditshme, por kur flas për këto gjëra, dikujt i duket sikur Papa është komunist. Nuk kuptohet se dashuria për të varfërit është në qendër të Ungjillit”.
Toka, shtëpia e puna, vazhdoi Françesku, janë të drejta të shenjta, bëjnë pjesë në Doktrinën Shoqërore të Kishës. Papa përshkroi një situatë aspak të lehtë. Fshatarët çrrënjosen nga toka e tyre për shkak të luftrave dhe të fatkeqësive natyrore; miliona njerëz vuajnë nga uria, ndërsa spekullimi financiar kushtëzon çmimet e ushqimeve; në qytetet e mëdha, që mburren se u japin të drejtat pakicave, mijëra të tjerë, përfshirë fëmijët, nuk kanë shtëpi; jetojmë në vende plot me qendra tregtare të stërmëdha, por me miliona njerëz të mënjanuar në periferi... E si për të fshehur këto shkelje të dinjitetit njerëzor, gjejmë eufemizma, denoncoi Ati i Shenjtë. Për njeriun e mjerë pa shtëpi, themi “pa strehë të përhershme”. Papa lavdëroi ato qytete, që ndjekin linjën e integrimit urban, ku favorizohet njohja me tjetrin. Pastaj, foli për punën:
“Nuk ekziston varfëri materiale më e keqe se ajo, që nuk të lejon të fitosh bukën e gojës e të privon nga dinjiteti i punës”.
Papa Françesku përmendi papunësinë e të rinjve,e cila në disa vende kapërcen 50% të forcës së punës. Të gjithë, theksoi, kanë të drejtë për një pagesë të denjë e për siguri shoqërore. Në shumë vende të botës, ngriti zërin Ati i Shenjtë, punëtorëve nuk u lejohet as të formojnë sindikata. Pastaj, denoncoi sërish mënjanimin e fëmijëve dhe të të moshuarve nga shoqëria, si edhe ato sisteme ekonomike të sëmura, që për të mbijetuar, kanë nevojë të nxisin luftra. Papa ripropozoi konceptin e Luftës III Botërore, që sipas tij po zhvillohet pjesë-pjesë, në anë të ndryshme të botës:
“Sa vuajtje, sa shkatërrim, sa dhimbje. Sot, lartohet nga të gjitha anët e tokës, nga të gjithë popujt, nga çdo zemër e çdo lëvizje popullore, thirrja për paqen: Kurrë më luftë!”
Një sistem ekonomik, që bazohet mbi paranë, vazhdoi Papa Françesku, shfrytëzon natyrën për të mos e ulur ritmin frenetik të konsumit, nga i cili rrjedhin efekte shkatërruese si ndryshimi i klimës dhe shpyllëzimi. Ati i Shenjtë kujtoi se po përgatit një Enciklikë për ekologjinë, ku ngre pyetjen pse po përjetojmë këto situata:
“Sepse, në këtë sistem, njeriun e kanë përzënë nga qendra dhe e kanë zëvendësuar me diçka tjetër. Sepse ngrihet paraja në një kult idhulltar, sepse është globalizuar indiferenca... Sepse bota ka harruar se e ka Zotin për Atë, duke u bërë kështu jetime, pasi e ka lënë Hyjin mënjanë”.
Papa u bëri thirrje Lëvizjeve Popullore ta ndryshojnë këtë sistem, duke ndërtuar struktura të tjera shoqërore. Në të krishterët, vuri në duke Ati i Shenjtë, kemi një program të bukur: lumnitë dhe kapitullin e 25-të të Ungjillit sipas Mateut. Papa ritheksoi rëndësinë e kulturës së takimit kundër çdo diskriminimi dhe nënvizoi se është e nevojshme që lëvizjet të koordinohen më mirë, pa ngritu struktura të ngurta:
“Lëvizjet Popullore shprehin nevojën urgjente për rigjallërimin e demokracive tona, shpesh, të kapura në kurth nga faktorë të panumërt. Është e pamundur të imagjinohet e ardhmja e një shoqërie, pa pjesëmarrjen si protagonistë të shumicës”.
Duhet të kapërcejmë, tha Papa, asistencializmin e të nxisim forma të reja pjesëmarrjeje në pushtet, që përfshijnë edhe lëvizjet popullore. Së fundi, thirrja:
“Asnjë familje pa shtëpi. Asnjë fshatar pa tokë! Asnjë punëtor pa të drejta! Askush pa dinjitetin, që i jep puna”.







All the contents on this site are copyrighted ©.