2014-10-30 14:45:58

Papa, veterokatolikëve: ta dëshmojmë së bashku Ungjillin, në një Evropë të hutuar


Ta dëshmojmë së bashku e besueshëm Ungjillin në një Evropë të hutuar, por të etur për Zotin: kjo është ftesa e Papës Françesku për delegacionin e Konferencës Ndërkombëtare të Ipeshkvijve veterokatolikë të Bashkimit të Utrehtit, të cilët i priti sot në Vatikan. Kisha veterokatolike është ndarë nga Roma pas Koncilit I të Vatikanit, i cili, në vitin 1870, miratoi dogmën e pagabueshmërisë papnore. Ati i Shenjtë vuri në dukje se ka shumë fusha bashkëpunimi për t’iu përgjigjur krizës së thellë shpirtërore, në të cilën janë përfshirë individë e shoqëri:RealAudioMP3
“Ka etje për Zotin. Ekziston një dëshirë e thellë për të rizbuluar kuptimin e jetës. E kemi nevojë urgjente për dëshmi të besueshme të vërtetësisë e të vlerave të Ungjillit. Në këtë, mund ta përkrahim dhe inkurajojmë njëri-tjetrin, sidomos në nivelin e famullive e të bashkësive lokale. Vërtet, shpirti i ekumenizmit është ‘kthimi i zemrave kah Zoti’ dhe ‘shenjtërimi i jetës, së bashku me lutjet private dhe publike për bashkimin e të krishterëve’ (Unitatis redintegratio, 8). Duke u lutur njëri për tjetrin e njëri me tjetrin, ndryshimet mes nesh do të asimilohen e do të kapërcehen në besnikërinë ndaj Zotit e Ungjillit të Tij”.
Papa Françesku kujtoi se përmes punës së Komisionit Ndërkombëtar për dialogun katolik-veterokatolik është bërë i mundur mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, megjithëse mbetet shumë për të bërë:
“Nëse, nga njëra anë, gëzohemi sa herë bëjmë hapa të tjera përpara drejt bashkimit më të qëndrueshëm në fe e në jetë, nga ana tjetër, trishtohemi për mosmarrëveshjet e reja ndërmjet nesh, që kanë dalë në pah gjatë viteve të fundit. Çështjet ekleziologjike dhe teologjike, që e kanë shoqëruar ndarjen tonë, janë tani më të vështira për t’u kapërcyer, për shkak të distancimit në rritje përsa u përket temave, që kanë të bëjnë me ministerin dhe me shoshitjen etike”.
Sfida e katolikëve dhe e veterokatolikëve, nënvizoi Papa, është ruajtja e dialogut teologjik dhe ecja në një udhë të përbashkët, duke u lutur e punuar së bashku për të realizuar gjithçka do Krishti për Kishën e vet:
“Në këtë ndarjen tonë, ka pasur, nga të dyja palët, mëkate të rënda e mungesa njerëzore. Në frymën e faljes së ndërsjellë dhe të pendesës së përvuajtur, kemi nevojë tani, ta përforcojmë dëshirën për pajtim e paqe. Udha drejt bashkimit fillon me shndërrimin e zemrës, me shndërrimin e brendshëm (shih Unitatis redintegratio, 4). Është udhëtim shpirtëror që shkon nga takimi tek miqësia, nga miqësia në vëllazërim, nga vëllazërimi në bashkim. Gjatë udhës, ndryshimi është i pashmangshëm. Duhet të jemi gjithnjë gati t’i dëgjojmë e t’i ndjekim sugjerimet e Shpirtit Shenjt, i cili na udhëheq drejt së vërtetës së plotë (shih Gjn 16,13)”.
Jam i vetëdijshëm, përfundoi Papa Françesku, se bashkimi i të gjithë të krishterëve në Kishën e Krishtit, një e vetme, i kapërcen forcat dhe mundësitë njerëzore, por ne kemi shpresë në lutjen e vetë Krishtit për Kishën e vet. E Ati i Shenjtë i ftoi edhe veterokatolikët të luten vazhdimisht, që përpjekjet e përbashkëta të mbështeten dhe udhëhiqen nga Hiri Hyjnor.
Në përshëndetjen e tij, kryeipeshkvi i Utrehtit e kryetari i Konferencës së veterokatolikëve, Joris Vercammen, nënvizoi se, sipas kërkesës së Papës, edhe veterokatolikët po reflektojnë për rolin e Ipeshkvit të Romës, i cili, sipas tyre, nuk mund të ketë jurisdiksion universal, por si “primus inter pares”, mund të ketë një autoritet më të lartë moral brenda sinodalitetit të ipeshkvijve.








All the contents on this site are copyrighted ©.