2014-10-31 10:45:04

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVII. Konsujt francezë në Shqipëri: August Degrand


Në pjesën e sotme të ciklit, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon (Giovanni) Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, që nga e diela e kaluar po ju flasim për konsujt francezë në Shqipëri. Sot, pasi ju njohëm me Hecquard, ju paraqesim August Degrand.
Konsulli tjetër francez, që la gjurmë të thella në historinë e Shqipërisë, është August Degrand. Diplomati jetoi në Shkodër e rrethina, nga viti 1893 deri në vitin 1899. Gjatë këtij qëndrimi, shtegtoi shumë, shteg pa shteg, deri në skutat e Shqipërisë veriore e të mesme. Shënoi ngjarje, fakte, biseda, përshkroi figura të shquara, regjistroi këngë, legjenda e histori të pashkruara, me të cilat hartoi librin Souvenirs de la haute Albanie, botuar nga H . Ëelter, Paris, 1901. Lexuesi i thjeshtë, që nuk e njeh kuadrin historik të veprimtarisë së konsullit frëng, mund edhe të çuditet duke lexuar përshkrimet e tij të hollësishme për shtrirjen e kristianizmit në Shqipërinë veriore, për kishat e rrënuara të lashtësisë e të mesjetës, posaçërisht për Kishën e Sardës së lashtë, dikur me një katedrale të famshme, kushtuar Lindjes së Zojës së Bekuar, siç e lexon në një pllakë mbetur ndërmjet rrënojash, e me një radhë të gjatë meshtarësh e ipeshkvijsh. Kur shkel në truallin e saj, i duket sikur aty ka shkelur vetë vdekja, duke lënë pas historinë, të shkruar vetëm mbi rrasa varresh.
Katedralja është shndërruar në varrezë. Mbi çdo varr ngrihen kryqe druri e, në majë të tyre, zogj të skalitur po prej druri, me krahë hapur, duken si qenie, që bëhen gati për t’u shkëputur nga toka. Bodrum të vdekurish, e quan kishën konsulli, që vijon me këmbëngulje shtegtimin nëpër kishat mesjetare. Shkel kështu, në Kishën e Zojës së Shasit, në rrethinat e Tivarit e sodit rrënojat e saj, ku lulëzojnë shegat e egra.
Në Mazrek, studion mbetjet e një abacie të rrënuar benediktinësh, me forma të çuditshme, gati fantastike. Gjen, studion e fotografon aty shumë fragmente skulpturash, që flasin për madhështi të kaluar e braktisje të sotme. Duke ndjekur kodrinat përgjatë lumit Drin, fotografon Kapelën e Zojës dhe rrënojat e kishës, ngritur nga Skenderbeu, me dekorime e vetrata, pas një fitoreje mbi venedikasit. Gjen një shtatore gjysëm të thyer të Shën Gjergjit e shënimin mbi praninë e ipeshkvit të fundit, Guillaume Agieton, i urdhërit të benediktinëve, vdekur rreth vitit 1520.
Një nga shtegtimet më interesante, që përshkruhen në librin e konsullit francez, është ai në Mirditë, banuar krejtësisht nga katolikë, nën mbrojtjen e Francës. Ndalohet në Mnellë, në Orosh sidomos, qendër e Mirditës, ku takohet me abatin e madh, Prengë Doçi, njohës i shquar i gjuhëve kryesore të Evropës. Me të, viziton Kishën e shën Llezhdrit (Aleksandrit), ku gjen kryqin, me mbishkrimin: “Këtë kryq e bëri Pal Dukagjini në vjeten 1447”, kryq që u dëmtua nga zjarri, rënë në kishë më 1896. Këtu njihet edhe me Kanunin e Lekës, që edhe e pasqyron me hollësi në vepër.
Pas çdo shtegtimi, rikthehet në Shkodër, ku viziton shumë herë Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, merr pjesë në festën popullore të Pajtores së Shqipërisë, mahnitet nga dyndja e malësorëve dhe e fshatarëve me veshjet festive ngjyra-ngjyra, të cilat i përshkruan hollësisht në vepër.
Udha i bën shteg edhe në Kishën e famshme të Shën Shirgjit e Bahut, ndërtuar nga mbretëresha Helenë. Fotografon e kopjon mbishkrimin, që e vërteton këtë autorësi, mat muret e zbulon edhe fragmente mozaikësh e shtatoresh, në atë kishë madhështore, që vijon të rrënohet nga furia e Drinit dhe e dorës së njeriut. Konsulli frëng shtegton me një udhërrëfyes të pagabueshëm: “Illiricum Sacrum”. Shkel, kështu, në gjithë ato vise, ku kanë shkelur ungjillëzuesit, duke nisur që nga kohë apostolike, për të arritur në kohët e tij, kur krishterimi rreket të ngrejë përsëri kokën, falë veprimtarisë misionare, nxitur nga Selia e Shenjtë për mbrojtjen dhe zhvillimin kulturor të grigjës së besimtarëve të saj, që i qëndruan besnikë në shekuj.
Në vepër lexojmë mbishkrime mbi gurë varresh e mure kështjellash, që flasin për shtrirjen e kristianizmit në trojet shqiptare, që në kohë apostolike. Njihemi me troje, ku kaluan uraganet e rrepta të kohës. Gjejmë, prandaj, kryesisht gërmadha, po gërmadha elokuente. Që diplomati frëng i bëri t’i flasin Evropës, falë pozitës së tij si Konsull i një vendi, që kishte përparësinë në mbrojtjen e katolikëve në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.