2014-10-31 11:08:56

Devocioni i vërtetë ndaj Marisë: E vërteta e përkryer


Sot, të dashur dëgjues, përfundon muaji kushtuar Rruzares e, bashkë me të, edhe shfletimi i veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, me të cilin ju kemi njohur gjatë 31 ditëve të tetorit. Në emisionin e fundit, shenjti jep këshillat e fundit për devocionin ndaj Zojës së Bekuar.

116. Devocioni ndaj Virgjërës Mari ka edhe shumë sjellje të tjera të jashtme; e ja, më kryesoret:
1. Të shkruhesh në bashkëvëllazëritë e saj e të hysh në kongregacionet e saj;
2. të hysh në urdhërat rregulltare themeluar për nder të saj;
3. të botosh lavdet e saj;
4. të japësh lëmoshë, të agjërosh e të përulesh shpirtërisht e fizikisht për nder të saj;
5, të mbash me vete simbole, si Rruzaren, Skapolarin e medalionin e saj
6. të thuash me vëmendje, devocion e modesti Rruzaren Shenjte, me pesëmbëdhjetë FalemiMëri, për nder të pesëmbëdhjetë mistereve kryesore të Jezu Krishtit, ose Rruzaren me pesëdhjetë falemiMëri, që është pjesa e tretë e Rruzares, për nder të pesë mistereve të gazmendit, që janë: lajmërimi i Zojës, Pasia, Lindja e Krishtit, Pastrimi dhe Rigjetja e Jezu Krishtit në Tempull; ose për nder të pesë mistereve të mundimeve, që janë agonia e Jezu Krishtit në Kopshtin e Ullinjve; Rrahja me kamxhik; Kurorëzimi me gjemba; Ngjitja mbi Kalvar ngarkuar me kryq dhe Kryqëzimi; ose për nder të pesë mistereve të Lumnisë, që janë: Ringjallja e Jezu Krishtit; të Ngjiturit në qiell, zbritja e Shpirtit Shenjt, ose Rrëshajët, Të Ngjiturit e Virgjës Mari me shpirt e korp në qiell dhe Kurorëzimi i saj nga Tri Vetjet e së Shenjtnueshmes Trini. Mund të thuhet edhe një Rruzare me gjashtë ose shtatë dhjetë falemiMëri, për nder të viteve që besohet se jetoi Virgjëra e shenjtë, ose rruzarja e Virgjërës së shenjtë, përbërë nga tri Atynë e dymbëdhjetë të falem, për nder të kurorës së saj me dymbëdhjetë yje apo privilegje, ose oficia e Zojës së Bekuar, që thuhet në Kishë e që është pranuar universalisht; ose Psalteri i vogël të Zojës, hartuar nga Shën Bonaventura për nder të saj e që është aq i ëmbël e aq i devoçëm, sa nuk mund ta lexosh pa u prekur thellë; ose katërmbëdhjetë Atyna e të falemiMëri, për nder të katërmbëdhjetë gëzimeve; ose ndonjë lutje tjetër, himn a këngë kishe, si “Të falem Mbretëreshë”, “Nëna e madhnueshme e Shëlbuesit”, “Të falem Mbretëreshë e Qiellit”, “Mbretëresha e Qiellit”, etj, ose Zemra ime madhëron Zotin, ose, akoma një nga lutjet e tjera devocionale, me të cilat janë përplot librat;
7. Të këndosh ose t’i nxitësh të tjerët të këndojnë këngë shpirtërore;
8. të bësh disa gjunjëzime e përkulje nderimi, duke thënë, për shembull, çdo mëngjes, gjashtëdhjetë ose njëqind herë: “Të falem Mari, Virgjër besnike”, për të nxjerrë nga Zoti, përmes saj besnikërinë e hireve të Hyjit gjatë ditës; e në muzg: Të falem Maria, Nëna e mëshirës” për t’i lypur ndjesë Hyjit përmes saj, për mëkatet e bëra gjatë ditës;
9. të kemi kujdes për bashkëvëllazëritë e saj, t’ia nderojmë elterët, t’ia kurorëzojmë e t’ia zbukurojmë figuret;
10. Ta mbartim e t’i nxisim edhe të tjerët ta mbartin figuren e saj në procesion, ta kemi në trup, si armë e fuqishme kundër djallit;
11. t’i pikturosh figuret e saj ose t’ia shkruash emrin e ta vendosësh në kishë e në shtëpi, mbi portat e hyrjes e portat e qytetit, të kishave e të shtëpive;
12. t’i kushtohesh në mënyrë të posaçme e solemne.







All the contents on this site are copyrighted ©.