2014-10-29 12:52:19

Papa Françesku: është e pamundur të njohim gjithë të mirën që bënë Kisha


Si duhet kuptuar, në Kishë, raporti ndërmjet realitetit të saj të dukshëm, atij që mund të shihet dhe atij shpirtëror. Këtë e shpjegoi Papa Françesku sot në katekizmin e tij gjatë Audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, para mijëra besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës.
Të dashur vëllezër e motra, në ligjëratat e mëparshme të katekizmit patëm rastin të nënvizonim natyrën shpirtërore të Kishës: ajo është korp i Krishtit, ndërtuar në Shpirtin Shenjt. Mirëpo, kur i referohemi Kishës, menjëherë mendimi shkon tek komunitetet tona, te famullitë tona kishtare, te dioqezat tona, te strukturat në të cilat zakonisht mblidhemi e, natyrisht, edhe pjesës përbërëse e figurave më institucionale që e drejtojnë, që e qeverisin atë. Ky është realiteti i dukshëm i Kishës. Duhet të pyesim, atëherë: a mos bëhet fjalë për dy gjëra të ndryshme apo për të njëjtën Kishë? E, nëse gjithmonë është e njëjta Kishë, si mund ta kuptojmë marrëdhëniet ndërmjet realitetit të saj të dukshëm, që shihet dhe atij shpirtëror?
Kur flasim për realitetin e Kishës që mund të shihet, - shtoi Ati i Shenjtë Bergoglio - nuk duhet të mendojmë vetëm në Papën, në ipeshkvijtë, në priftërinjtë e në njerëzit e shuguruar”. “Realiteti i dukshëm i Kishës – pohoi Papa Françesku –përbëhet prej shumë vëllezërve e motrave të pagëzuar që botë besojnë, shpresojnë e duan. Nga të gjithë ata që e ndjekin Zotin Jezus e që, në emër të tij, janë afër njerëzve që vuajnë, që janë të fundmit e shoqërisë, duke u orvatur t’u ofrojnë pak lehtësim, ngushëllim e paqe”. “Si mund të njihemi me këto vepra dashurie, me angazhimin e familjeve, me punën e edukimit të fëmijëve, me aq shumë vuajtja që kanë të sëmurët?”, pyet Papa e menjëherë pas komenton: “Po kjo nuk mund të matet, pse është aq e madhe”. Kishë jemi të gjithë, ne! Të gjithë të pagëzuarit jemi Kishë, Kishë e Jezusit.“Të gjithë ata që bëjnë atë që Zoti na ka urdhëruar janë Kishë”.
Sipas Atit të Shenjtë Bergoglio, “për të kuptuar raportin, në Kishës, ndërmjet realitetit të saj të dukshëm e tij shpirtëror – nuk ka rrugë tjetër përpos vështrimin të Krishtit, nga i cili Kisha e ka korpin e nga i cili ajo lindët, në aktin e një dashurie të pakufishme”. “E vërtetë në Krishtin, në saje të misterit të mishërimit të Tij, ne njohim – kujtoi Papa – edhe natyrën njerëzore e natyrën hyjnore të Tij, të njësuara në të njëjtin person në mënyrë të mrekullueshme e të pazgjidhshme. Kjo vlen në mënyrë të ngjashme edhe për Kishën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.