2014-10-29 15:13:45

Papa: dashuria e dukshme e të krishterëve tregon për dashurinë e padukshme të Zotit


Dashuria konkrete për të tjerët e bën të kuptueshëm aspektin “hyjnor” të Kishës si korp i Krishtit. Prandaj, të krishterët nuk duhet të jenë kurrë arsye për shkandull. Kështu tha sot Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, katekizmin e së cilës ia kushtoi marrëdhënieve ndërmjet realitetit “të dukshëm” dhe realitetit “shpirtëror”, pjesë e natyrës së Kishës. Në fund, Ati i Shenjtë u lut për studentët e rrëmbyer në shtator në shtetin meksikan të Guerreros dhe bëri thirrje të ndalet virusi i ebolës.
Ajo që nuk shihet, nënvizoi Papa Françesku, është më e rëndësishme se ajo që shihet. Në Kishë është kështu: natyra e saj e padukshme hyjnore – të qenit korp i Krishtit – është më e rëndësishme se natyra e saj e prekshme, siç mund të jenë famullitë, bashkësia, kleri, laikët, rregulltarët. Por, të gjithë këta kanë përgjegjësi për ta dëshmuar para botës të mirën, që feja u ka sjellë në shpirt. 30 mijë vetëve të mbledhur në sheshin para Bazilikës së Vatikanit, Ati i Shenjtë u shpjegoi atë, që duhet të jetë krejt e qartë për një të krishterë: të qenit pjesë e një korpi hyjnor. E megjithatë, vërejti Papa, shpesh të krishterët, me sjelljet e tyre, tregojnë se nuk janë të vetëdijshëm për këtë:
“Ashtu si në Krishtin, natyra njerëzore i bindet plotësisht asaj hyjnore dhe i shërben asaj, në funksion të shëlbimit, ashtu ndodh edhe në Kishë për realitetin e saj të dukshëm, në krahasim me atë shpirtëror. Pra, edhe Kisha është një mister, në të cilin ajo, që nuk shihet është më e rëndësishme se ajo, që shihet e, mund të njihet vetëm me sytë e fesë”.
Me sytë e ballit, vazhdoi Papa Françesku, mund të njihen gjithnjë “mrekullitë”, që “Krishti arrin të bëjë në zemrën e në jetën e çdo njeriu”, përmes të krishterëve. Por edhe këtu duhet pasur parasysh një përmasë, që s’mund të matet:
“Edhe realiteti i dukshëm i Kishës nuk është i matshëm, nuk mund të njihet katërcipërisht: si t’ia bëjmë për t’i njohur të gjitha të mirat, që realizohen? Sa vepra dashurie, sa besnikëri në familje, sa punë për të edukuar fëmijët, për t’u transmetuar fenë, sa vuajtje të të sëmurëve, që i ofrohen Zotit… Po kjo s’mund të matet, sepse është jashtëzakonisht e madhe!”
Të mirat, që realizon Kisha përmes anëtarëve të vet, përmes të gjithë të pagëzuarve, duhet të jenë imazhi i dukshëm i dashurisë së padukshme të Zotit për njerëzimin, theksoi Papa. Njëlloj, shpjegoi pastaj, si Krishti, i cili duke qenë njeri, e përdori humanitetin e vet për të kumtuar e realizuar planin hyjnor të shëlbimit e të shpëtimit, sepse ishte edhe Zot:
“Përmes realitetit të saj të dukshëm, përmes gjithçkaje që shihet, si sakramentet dhe dëshmia e të gjithë të krishterëve, Kisha është e thirrur çdo ditë t’i qëndrojë pranë çdo njeriu, duke filluar nga më i varfëri, nga ai që vuan, nga i mënjanuari, në mënyrë që të gjithë të vazhdojnë ta ndjejnë vështrimin e dhembshur dhe të mëshirshëm të Jezusit”.
Sigurisht, vuri në dukje Papa Françesku, nganjëherë është tepër e lehtë të kthehemi nga dëshmitarë të dritës në arsye për shkandull. Njerëzit e Kishës, që me dëshirë flasin keq për të tjerët, janë shembull tipik negativ, që mund ta nxisë ndonjërin të thotë “bëhem ateist”, ironizoi dhimbshëm Ati i Shenjtë:
“T’i lutemi Hyjit për dhuratën e fesë, që ta kuptojmë si, pavarësisht nga varfëria e shpirtvogëlsia jonë, Zoti na ka bërë vërtet, mjete të Hirit e shenja të dukshme të dashurisë së Tij për gjithë njerëzimin. Po, mund të bëhemi arsye për shkandull, por mund të bëhemi edhe dëshmitarë, duke e treguar me jetën tonë ç’dëshiron Jezusi nga ne”.
Mallëngjyes, çasti që Papa Françesku ia kushtoi kujtimit të 43 studentëve të shtetit meksikan të Guerreros, rrëmbyer para një muaji. Akoma nuk dihet fati i tyre, viktima të një historie të shëmtuar dhune e korrupsioni, në të cilën autoritetet lokale u kanë hapur udhë bandave të trafikantëve të drogës:
“Do të doja sot t’i lartoj Hyjit një lutje, duke pasur në zemër popullin meksikan, që vuan për shkak të zhdukjes së studentëve e për probleme të tjera të ngjashme. Zemra jonë prej vëllai qoftë afër tyre me lutje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.