Më 29 tetor kalendari përkujtoi shën Ermelindën, virgjër
Ermelinda lindi në Lovenjul të Brabantit, në Belgjikën e sotme. Ishte bijë e Ermeonoldos
dhe Armensindës, të lidhur me familjen e fuqishme Pipini. Që e re, vendosi të mos
pranonte asnjë propozim për martesë dhe hoqi dorë nga pasuria e salltaneti i familjes.
Iku nga shtëpia, në kërkim të vetmisë e të heshtjes, derisa u ndalua në fshatin Boveshën,
ku nisi të jetojë si rregulltare, duke shkuar në Kishë natën me këmbët e zbathura.
Iu desh t’u kundërshtonte të vëllezërve, zotërinj të vendit, që vendosën ta detyrojnë
të kthehet në shtëpi. E ndoqën një natë kur shkonte në Kishë por, në sa po e kapnin,
një engjëll e lajmëroi për qëllimin e tyre e ajo mundi të ikte. U nis për në Meldert,
ku vdiq 48 vjeçe në fund të shekullit VI. Nisi të nderohej si shenjte posaçërisht
në Lovenjul e Meldert. Në Lovenjul, në trojet e familjes së saj, gurroi një burim
i mrekullueshëm, ujtë e të cilit shëronte sëmundjet e syve. Besimtarët e quajtën ‘Burimi
i Shën Ermelindës’. Në Meldert, ku u varros e u zhvarros disa herë, për shak të trazirave
të kohëve, kulti i saj u bë edhe më popullor, madje aty u themelua edhe një bashkëvëllazëri
kushtuar Shenjtes. Emri Ermelinda është shumë i përhapur në të gjithë Evropën,
edhe në format e shkurtuara Linda e Inda. Ky emër është me zanafillë gjermane: përbëhet
nga fjalët Erme ‘i fuqishëm’ dhe ‘linta’ mburojë’, pra do të thotë ‘mburoja e të fuqishmit’.