2014-10-29 16:48:54

Ebola: misioni i kamilianëve në Sierra Leone e në Liberi


Kamilianët janë të impenjuar në linjën e parë të frontit kundër virusit të ebolës në Afrikë, i cili ka përfshirë veçanërisht zonat e Sierra Leones, Guinea Conakry-së dhe Liberisë. Një grup i udhëhequr nga këshilltari i përgjithshëm, është nisur këto ditë për në Liberi e në Sierra Leone. Gjendja që gjetën është dramatike.
Sipas rregulltarëve, Ebola rëndon një situatë tepër të ndërlikuar, e cila karakterizohet nga luftra civile, korrupsion e nga shpërbërja e udhëheqjes civile, fetare e politike. Vetëm tre muajt e fundit, në Sierra Leone janë ndërruar tri ministra të Shëndetësisë. E gjithë kjo i shtohet gjendjes së rëndë të sistemit shëndetësor, i cili nuk ka mjetet e përshtatshme as për diagnostikimin e virusit të pamëshirshëm, siç e quajti sot Papa Françesku. Gjendja rëndohet nga fakti se sëmundja po përhapet jo në zonat e fshatit, por në ato të qyteteve, ku popullsia është më e madhe.
Kamilianët tregojnë se njerëzit vdesin nga Ebola, por edhe nga malaria e nga lindja e fëmijëve, sepse, nga frika e përhapjes së virusit, edhe ato pak spitale të pranishme në këto vende, janë mbyllur. Popullsia nuk mund të ketë në dispozicion edhe terapitë më të thjeshta e vaksinat, që kushtojnë pak dollarë. Gjithashtu, është ngadalësuar shkëmbimi i mallrave, gjë që ka rritur çmimet, duke shtuar vdekjet nga uria, edhe sepse njerëzit nuk mund të spostohen lehtë për të shkuar drejt zonave, ku mund të furnizohen me ushqim.
Kamilianët ndihmojnë në spitalin e hapur në dioqezën e Makenit në Sierra Leone dhe po vlerësojnë mundësinë për rihapjen e spitalit “Holy Spirit” (Shpirti Shenjt). Gjithashtu, mundohen të ngushëllojnë popullsinë e frikësuar, duke i dhënë informacion të saktë për të shmangur ankthin, i cili i çon njerëzit në veprime të rrezikshme. Ata ndihmojnë fëmijët jetimë, numri i të cilëve rritet vazhdimisht, si edhe mundohen të sigurojnë ushqimin e mjaftueshëm, në zonat ku veprojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.