2014-10-28 15:50:00

Papa: puna është një e drejtë, asnjë njeri të mos heqë dorë nga dinjiteti


“Asnjë punëtor pa të drejta! Asnjë njeri pa dinjitet që jep puna! Të gjithë kanë të drejtën të marrin pagesën e denjë e të ketë sigurinë shoqërore!”. Kjo është thirrja që bëri me forcë Papa Françesku gjatë takimit botëror me Lëvizjet Popullore mbajtur sot në Vatikan.
“Nuk ka – shpjegoi Ati i Shenjtë Bergoglio – varfëri ma të keqe se ajo që nuk lejon fitimin e bukës dhe të heq dinjitetin e punës”. Në mënyrë të veçantë Papa Françesku përmendi rastin e disa të rinjve të papunë dhe nënvizoi se një situatë e tillë nuk është e pashmangshme, por është rezultat i “një përcaktimi shoqëror, i një sistemi ekonomik që i vë të mirat, pra përfitimet para njeriut”, i një kulture që përjashton e mënjanon qenien njerëzore duke e konsideruar si mall tregu e “një të mirë konsumi”. Në vazhdim të fjalës, Papa citoi enciklikën “Evangelii Gaudium” për të denoncuar edhe një herë se ata persona që mënjanohen e përbuzen janë në mënyrë të veçantë fëmijët e të moshuarit. E tani, tha akoma Papa, kemi edhe mënjanimin e të rinjve, me miliona të papunë. Një papunësi rinore kjo, konstatoi Papa, që në disa Vende e kalon deri 50 për qindëshin”. Ati i Shenjtë Françesku tha se ka shumë besim në Lëvizjet Popullore, të cilat shprehin e kërkojnë urgjentisht rigjallërimin e demokracive tona, që shpesh janë të sekuestruara nga faktorë të panumërt”. Është e “pamundur”, tha Papa – “të imagjinojmë një të ardhme për shoqërinë pa pjesëmarrjen e pjesës dërmuese të njerëzve si protagonistë”. Duhet të krijojmë forma të tjera të pjesëmarrjes që përfshinë edhe lëvizjet popullore e rrymën e energjisë së tyre morale”.







All the contents on this site are copyrighted ©.