Ministri shqiptar i shëndetësisë Beqaj viziton Vatikanin
Vatikani e Shqipëria konfirmojnë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë.
Një vizitë e vlefshme dhe e frytshme pune: kështu e quajti Ministri i Shëndetësisë
së Republikës së Shqipërisë, Ilir Beqaj, vizitën e tij zyrtare në Vatikan. Ministri
shqiptar Beqaj u takua me Presidentin e Këshillit Papnor për Shëndetësinë, imzot Zygmunt
Zimowski. Gjatë bisedimeve të përzemërta u ripohua vullneti i dy palëve për përforcimin
dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, sipas marrëveshjeve të nënshkruara
vite më parë nga dy Shtetet. Në kuadrin e vizitës së sotme, Ministri shqiptar Beqaj
vizitoi spitalin e pediatrisë të Selisë së Shenjtë “Bambino Gesù”, më pas u takua
me Presidentin e Prefekturës së Çështjeve Ekonomike të Selisë së Shenjtë, kardinalin
Giuseppe Versaldi, me të cilin foli për mbështetjen e Universitetit Katolik “Zoja
e Këshillit të Mirë në Tiranë” dhe kërkoi edhe ndërtimin e një spitali në kuadrin
e këtij universiteti. Gjatë vizitës së tij në selinë e Radio Vatikanit e në programin
e gjuhës shqipe, ministri Beqaj, në mikrofonin e Radios së Papës, foli për vizitën
e tij, për bashkëpunimin ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë në fushën e shëndetësisë,
për sfidat që ka shëndetësia në Shqipëri. Ai kujtoi vizitën historike të Papës Françeku
në Tiranë. Po të dëgjojmë vetë Ministrin e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ilir Beqaj,
intervistuar nga dom David Gjugja, në studion “Karol Wojtila” të Radio Vatikanit....
E tani po
përmendim shkurt marrëveshjet dhe bashkëpunimin e Selisë së Shenjtë me Ministrinë
e Shëndetësisë së Shqipërisë. Kujtojmë se këto marrëveshje ndërmjet Selisë së Shenjtë
e Republikës së Shqipërisë, janë realizuar gjatë mandatit të misionit diplomatik të
Ambasadorit të Shqipërisë pranë Vatikanit, Shkëlqesisë së tij Rrok Logu. Kështu,
më 2007 është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Kërkimore Spitalore
“Bambino Gesu” dhe më 2008, një plan bashkëpunimi ndërinstitucional me spitalin “Casa
Sollievo della sofferenza”, në San Giovanni Rotondo. Më 2010 është nënshkruar një
marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional me Universitetin Katolik “Sacro Cuore”,
me Fakultetin e Mjekësisë e të Kirurgjisë “Agostino Gemelli”, pranë Poliklinikës Universitare
“ Agostino Gemelli”, me Qendrën e kërkimit dhe formimit të teknologjisë së lartë për
shkencat biomjekësore “Gjon Pali II” në Kampobaso. Më pas, janë nënshkruar: marrëveshja
për pritjen e pacientëve shqiptarë me patologji të rënda dhe të ndërlikuara, jo të
shërueshme apo me kurim të vështirë, marrëveshja për formimin profesional të personelit
shqiptar mjekësor ose jo mjekësor në Poliklinikën Universitare "Agostino Gemelli”
dhe formimin e mjekëve dhe infermierëve specialistë, si dhe përfshirjen e mjekëve
shqiptarë në proceset e trajnimit në distancë. Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet
Selisë së Shenjtë e Shqipërisë parashikojnë mbështetje për diagnostikimin, menaxhimin
spitalor, trajnimin e stafeve mjekësore e shkëmbimin e përvojës, etj. Po kështu, parashikohet
bashkëpunimi me disa nga spitalet kryesore, që përmendem më lart.