2014-10-27 13:55:39

Françesku: Benedikti XVI, “Papë i madh”. Shkenca të jetë për të gjithë


“Papë i madh”: me këtë shprehje plot mirënjohje e dashuri, Papa Françesku përmendi paraardhësin e tij, Benediktin XVI, busti i të cilit u përurua sot në selinë e Akademisë Papnore të Shkencave. Njeri me inteligjencë të madhe, studiues i apasionuar, që me anë të studimit nuk është larguar, përkundrazi, i ka përmirësuar njohuritë mbi gjërat e shpirtit. Me admirim, Françesku foli për Papën e nderit si për një njeri, që diti të bashkojë fenë me arsyen:RealAudioMP3
“Benedikti XVI: një Papë i madh. I madh për forcën e thellësinë e inteligjencës së tij, i madh për kontributin e rëndësishëm në fushën e teologjisë, i madh për dashurinë e tij për Kishën e njerëzit, i madh për virtytet e fenë e tij. Sigurisht që për të nuk mund të thuhet kurrë se studimi e shkenca ia thanë shpirtin e dashurinë për Zotin e të afërmin, përkundrazi, shkenca, urtia e lutja ia bënë mal zemrën e shpirtin”.
Dashuria për shkencën, përveç dashurisë së mirënjohur për teologjinë e filozofinë, e nxitën Benediktin XVI ta marrë gjithnjë në konsideratë Akademinë e Shkencave, duke u bërë papa i parë që ftoi kryetarin e saj në punimet e një Sinodi, në atë për ungjillëzimin e ri, pasi ishte i vetëdijshëm për rëndësinë e shkencës në kulturën bashkohore. Edhe Papa Françesku, duke u folur anëtarëve të Akademisë, që këto ditë janë mbledhur në Asamblenë e tyre të Përgjithshme, i inkurajoi të punojnë për atë përparim shkencor, që ndikon në përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve, sidomos të më të varfërve. I ftoi ta shohin Zotin e Krishtin në natyrë, në procesin e Krijimit, me anë të të cilit Zoti nuk sillet me botën si “demiurg apo magjistar”, por u jep të gjitha gjërave autonominë e nevojshme për t’u zhvilluar, duke siguruar praninë dhe ndihmën e Tij të përhershme:
“Fillimi i botës nuk është vepër e kaosit, që e ka zanafillën nga dikush tjetër, por rrjedh drejtpërdrejt nga një Parim suprem, i cili krijon për hir të dashurisë. Big Bang-u, që sot mendohet të jetë fillimi i botës, nuk i kundërvihet ndërhyrjes së Krijuesit hyjnor, por e kërkon atë. Evolucioni i natyrës nuk bie ndesh me idenë e Krijimit, sepse evolucioni presupozon krijimin e qenieve, që zhvillohen”.
E kur mbërrin tek njeriu, vijoi Papa Françesku, Zoti bën edhe më shumë. E bën përgjegjës për krijimin. Autonomia e njeriut është e ndryshme nga ajo e natyrës. Është “liri” e njeriu është i lirë edhe të mos e respektojë planin hyjnor:
“Është e vërtetë edhe se veprimi i njeriut, kur liria e tij kuptohet si autonomi – pra nuk është liri, por autonomi – e shkatërron krijimin e njeriu zë vendin e Krijuesit. E ky është mëkat i madh kundër Zotit Krijues”.
Shkencëtari, sidomos ai i krishterë, përfundoi Papa Françesku, ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e njerëzimit e të tokës dhe, si njeri i lirë e i përgjegjshëm, bën ç’është e mundur ta përgatisë, ta mbrojë e të eliminojë rreziqet kundër ambientit, si atij natyror, ashtu edhe atij njerëzor:
“Shkencëtari duhet të frymëzohet nga besimi se natyra fsheh, në mekanizmat e saj evolutive, mundësi, të cilat duhen zbuluar me inteligjencë e liri për t’u zbatuar, që të arrihet zhvillimi i parashikuar nga plani i Krijuesit. Atëherë, sado i kufizuar, veprimi i njeriut merr pjesë në fuqinë e Zotit dhe është në gjendje të ndërtojë një botë të përshtatshme për jetën e tij të dyfishtë, trupore dhe shpirtërore; është në gjendje të ndërtojë një botë njerëzore për të gjithë njerëzit e jo për një grup, apo për një klasë të privilegjuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.