2014-10-25 18:15:47

Koncistori për Lindjen e Mesme: të impenjohet edhe Irani


“Duket se ka humbur vetëdija për vlerën e jetës njerëzore, duket sikur njeriu nuk vlen e mund të sakrifikohet për interesa të tjera. Dhe e gjithë kjo, fatkeqësisht, në indiferencën e plotë të shumë vetëve”. Me këto fjalë, Papa Françesku hapi Koncistorin e së hënës, në të cilin 86 kardinaj e patriarkë nga e gjithë bota u ndalën në gjendjen e Lindjes së Mesme, duke u premtuar më shumë ndihma të krishterëve të persekutuar, viktima të brutalitetit të integralistëve dhe të dhunës së paimagjinueshme.RealAudioMP3
Por, të krishterët e Lindjes së Mesme – u tha nga Papa dhe nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin – nuk duhet të tundohen nga politikanët ose ushtarakët e radhës, të cilët u premtojnë mbrojtje. Duhet ndalur agresori i padrejtë, por gjithnjë duke respektuar të drejtën ndërkombëtare.
Duke folur për terrorizmin islamik, u theksua se zgjidhja e problemit nuk mund t’i lihet në dorë vetëm ndërhyrjes ushtarake. Duhen gjetur shkaqet e zgjimit të fundamentalizmit e t’u jepet zgjidhje problemeve, që shfrytëzohen nga ideologjia integraliste. “Përsa i përket të ashtuquajturit Shtet islamik – rekomandoi pak si kundër rrymës kardinali Parolin – duhen mbikqyrur burimet që mbështesin veprimtarinë e tij terroriste përmes përkrahjes pak a shumë të qartë politike, si edhe përmes tregtisë së paligjshme të naftës, të furnizimit me armë e teknologji”.
Selia e Shenjtë i bëri edhe një herë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të mos i mbyllur sytë para kësaj situate dhe deklaroi se sheh me shpresë e besim rolin e Iranit në zgjidhjen e krizës në Siri e Irak e në luftën kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik. “Paqja – përfundoi kardinali Parolin – nuk duhet kërkuar në zgjidhje të njëanshme, të imponuara me forcë, por përmes dialogut që duhet të sjellë zgjidhje rajonale e gjithëpërfshirëse, pa lënë mënjanë interesat e të gjitha palëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.