2014-10-25 18:14:55

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVII: Konsujt francezë në Shqipëri (15)


Në ciklin tonë, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, do t’ju flasim mbi konsujt francezë në Shqipëri.RealAudioMP3

Nuk mund ta kuptojmë si duhet historikisht praninë dhe veprimtarinë diplomatike të konsujve francezë e austrohungarë në Shqipërinë e Epërme, pa e pasur mirë parasysh privilegjin e Francës, në krahasim me shtetet e tjera katolike, si Austria, lidhur me “të drejtën e përparësisë” (a më mirë, të vjetërsisë) në mbrojtjen e bashkësive katolike. Në këtë kuadër u dukën në Shqipëri diplomatët e Parisit.
Po kujtojmë vetëm dy konsujt më të famshëm të Francës në Shqipëri, me qendër në Shkodër, që lanë gjurmë të ndjeshme në historinë e vendit, duke na lënë trashëgim dy libra me vlerë: Hyacinthe Hecquard e Auguste Degrand.
Hecquard, njeri me personalitet të gjithanshëm, u shqua si explorator, diplomat, shkrimtar, gjeograf e ushtarak. Njihen botërisht zbulimet e tij në pellgun e lumit Niger, në Afrikë, ku studioi territorin në vitet 1840, për të vijuar, pastaj, kërkimet edhe në Senegal.
Më 1852 u zgjodh anëtar i Shoqërisë Gjeografike dhe mori titullin “Kalorës i Legjionit Francez të Nderit”. Është autor i librit “Voyage sur la côte et dans l'intérieur del' Afrique occidentale”, Paris 1855.
Ishte me shërbim diplomatik në Shqipëri, me seli konsullore në Shkodër. Dihet se erdhi më 1854, por nuk dihet me saktësi se kur u largua nga ato vise, që i shëtiti e i deshi.
Prej këndej lindi “Histoire et description de la haute Albanie ou Guégarie”, Paris 1858. Ky libër vijon të vlerësohet në Francë, si përmbledhja më e mirë e shënimeve të udhëtimit në Shqipëri.
Shkroi edhe shumë artikuj për gjeografinë dhe etnologjinë shqiptare. Historia e konsullit francez kushtuar Shqipërisë së Epërme, pa dritën e shtypit në shqip, nga Shtëpia botuese "Plejad". Vepra e Luigj Iasinth Hekard "Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë”, botuar në shqip 150 vjet pas daljes në Francë. E përkthei nga frëngjishtja Oriana Tamburi. Në 520 faqe të librit Hekard ndërton një përshkrim të hollësishëm dhe të vyer të jetës së viseve veriore. Duke e shfletuar librin, njihemi me ngjarje e njerëz të përshkruar nga pena objektive e një të huaji, të dashuruar me Shqipërinë, me doket dhe zakonet shqiptare të lindjes e vdekjes, pagëzimit, martesës, ushqimit, jetesës në përgjithësi, organizimit politik në qytete e në malësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.