Papa Françesku: shkoj në Turqi për të kapërcyer pengesat me ortodoksët
Shkoj në Turqi, me dëshirën e kapërcimit të pengesave, që akoma na ndajnë nga ortodoksët.
Kështu tha Papa Françesku në audiencën me anëtarët e “Orientale Lumen Foundation in
America” (Fondacioni ‘Drita e Lindjes’ në Amerikë). Pa risim të brendshëm, nënvizoi
Ati i Shenjtë, nuk mund të ketë dialog të vërtetë ekumenik. Në më pak se një muaj,
udha e dialogut katoliko-ortodoks do të zgjatet me një hap tjetër përpara. Edhe një
herë, një takim, një përqafim, do të anulojë fizikisht, për disa çaste, atë distancë,
e cila ekziston e reziston që prej njëmijë vjetësh e që, nga Koncili II i Vatikanit,
zvogëlohet gjithnjë e më tepër. Më 30 nëntor, në Stamboll, Patriarku i Kostandinopojës
dhe Ipeshkvi i Romës do të ndodhen njëri përballë tjetrit. E Papa u flet për këtë
anëtarëve të Fondacionit amerikan, që mban emrin e Letrës Apostolike të Shën Gjon
Palit II kushtuar bashkimit me të krishterët e Lindjes: “Vizita e Ipeshkvit
të Romës në Patriarkanën Ekumenike dhe takimi i ri ndërmjet Patriarkut Bartolomeu
e mua vetë, do të jenë shenja të lidhjes së thellë, që bashkon selinë e Romës me atë
të Kostandinopojës, por edhe të dëshirës për të kapërcyer, me dashuri e vërtetësi,
pengesat, që akoma na ndajnë”. Anëtarët e Fondacionit ndodhen për shtegtim
në Romë e udhëhiqen pikërisht nga një ortodoks, nga mitropoliti i Diokeia-s, Kalistos.
Papa Françesku u kujtoi se shtegtimi i frymëzuar nga feja na ndihmon ta risojmë shpirtin,
të ndryshojmë nga brenda: “Këto përmasa janë absolutisht thelbësore për të
vijuar edhe rrugën, që çon drejt pajtimit dhe bashkimit të plotë të të gjithë besimtarëve
në Krishtin. Nuk ka dialog të vërtetë ekumenik, pa gatishmërinë për t’u risuar shpirtërisht,
për të kërkuar besnikërinë më të madhe ndaj Krishtit e ndaj vullnetit të Tij”. Shtegtimi
i anëtarëve të Fondacionit synon kujtimin e shën Gjonit XXIII e të shën Gjon Palit
II. Shembulli i këtyre shenjtorëve, nënvizoi Papa, është shumë i rëndësishëm për ne
dhe i shndrit hapat tona drejt bashkimit: “Ndër gjërat e shumta, që mund të
përmendim, është se Shën Gjoni XXIII, kur shpalli se do të mblidhej Koncili II i Vatikanit,
vuri ndër qëllimet e tij, pikërisht unitetin e të krishterëve e se shën Gjon Pali
II i dha një shtytje të rëndësishme përpara impenjimit ekumenik të Kishës Katolike
me Letrën e tij enciklike ‘Ut Unum Sint’”. Në përfundim të audiencës, Papa
Françesku kërkoi lutje që me ndërhyrjen e dy shenjtorëve paraardhës të tij, ta kryejë
misionin e ipeshkvit të Romës, në shërbim të bashkimit e të unitetit në Kishë, duke
iu bindur gjithmonë vullnetit të Zotit.