2014-10-24 13:09:03

Papa: të punojmë të gjithë për bashkimin e Kishës, kështu bëhemi më të fortë


Çdo i krishterë është i thirrur të punojë për bashkimin e Kishës. Në meshën e mëngjesit, Papa Françesku nënvizoi se duhet ta lemë veten në dorën e Shpirtit Shenjt, i cili e realizon bashkimin në Kishë, duke ruajtur ndryshueshmërinë mes njerëzve.
Është përsëri Letra e Shën Palit drejtuar Efesianëve, një nga leximet liturgjike të sotme, në qendër të reflektimit të Atit të Shenjtë. Nga burgu, Apostulli i Popujve kërkon të bëhet ç’është e mundur për të qëndruar të bashkuar. Gjatë gjithë historisë, vuri në dukje Papa, kjo është puna e Kishës dhe e çdo të krishteri: të sigurojë unitetin. Pastaj Ati i Shenjtë dha shembullin e shën Pjetrit Apostull, i cili flet për Kishën si për një tempull me gurë të gjallë, në ndryshim nga tempulli i mendjemadhësisë si Kulla e Babelit. I pari, nënvizoi Papa, sjell bashkim, ndërsa tjetri është simbol i përçarjes dhe i moskuptimit:
“Realizimi i bashkimit në Kishë, ndërtimi i Kishës, i këtij tempulli, i këtij uniteti në Kishë: kjo është detyra e çdo të krishteri, e secilit prej nesh. Kur duhet të ndërtojmë një tempull apo një pallat, kërkojmë një zonë të përshtatshme dhe e përgatisim. Gjëja e parë që bëjmë është të kërkojmë gurin bazë, gurin e këndit, thotë Bibla. E guri i këndit i Kishës është Jezusi, ndërsa guri i këndit i bashkimit të Kishës është lutja e Jezusit në Darkën e Mbrame: ‘Atë, qofshin një!’. E kjo është forca!”.
Jezusi, vazhdoi Papa Françesku, është guri mbi të cilin ndërtojmë bashkimin në Kishë. Por, kush e ndërton këtë unitet? E Papa nënvizoi se kjo është detyra e Shpirtit Shenjt, i vetmi, që mund të krijojë unitet në Kishë, duke bashkuar në një popuj, kultura e njerëz të ndryshëm, pa ua prekur identitetin. Shën Pjetri thotë se ne jemi gurë të gjallë në këtë ndërtesë, ndërsa Shën Pali na këshillon të jemi të brishtë. Por ç’do të thotë kjo?
“Përvuajtëri, ëmbëlsi, shpirtmadhësi: janë brishtësi, sepse i përvuajturi duket sikur nuk duhet për gjë; ëmbëlsia, butësia, duket sikur nuk shërbejnë; shpirtmadhësia, hapja e zemrës për të gjithë, të kesh një zemër të madhe… E pastaj, shkon edhe më larg: ‘Durojeni njëri-tjetrin me dashuri’. Ta durojmë njëri-tjetrin me dashuri, duke pasur për zemër, çfarë? Ruajtjen e bashkimit. E ne bëhemi aq gurë më të fortë në këtë tempull, sa më të brishtë dukemi me virtytet e përvuajtërisë, të shpirtmadhësisë, të ëmbëlsisë, të butësisë”.
Kjo është udha e përshkuar nga Jezusi, i cili u tregua i brishtë deri në Kryq, e u bë i fortë, theksoi Papa. Kryelartësia, mendjemadhësia, nuk nevojiten. Kur fillohet një ndërtesë është e nevojshme që arkitekti të bëjë projektin. E cili është projekti i bashkimit në Kishë, pyeti sërish Ati i Shenjtë:
“Shpresa, për të cilën jemi të thirrur të gjithë: shpresa se shkojmë drejt Zotit, shpresa se jetojmë në një Kishë të gjallë, ndërtuar me gurë të gjallë, me forcën e Shpirtit Shenjt. Vetëm me projektin e shpresës mund të ecim përpara drejt bashkimit në Kishë. Jemi të thirrur për një shpresë të madhe.Të shkojmë aty! Por me forcën që na jep lutja e Jezusit për bashkimin; me urtinë e Shpirtit Shenjt, i cili është i aftë të na kthejë nga tulla në gurë të gjallë; e me shpresën se do të gjejmë Zotin që na ka thirrur, do ta gjejmë kur të plotësohen kohrat”.







All the contents on this site are copyrighted ©.