Konferenca e 29-të Ndërkombëtare e Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë,
që do të mbahet në Vatikan nga data 20 deri më 22 nëntor, do të përqendrohet sivjet
në problemin e autizmit. Vërtet, tema e saj është “Njeriu me shqetësime të spektrit
autist: të zgjojmë shpresën”. Papa Françesku do të takohet me ta në audiencë, ku do
të marrin pjesë edhe personalitete të muzikës, si grupi “Tazenda”, këngëtarja italiane
Arisa, mjeshtri Giuseppe Barbera dhe mjeshtri Giulio Rapetti, apo Mogol, siç njihet
në art një nga autorët më të shquar të këngëve të muzikës së lehtë. Është hera e parë
që një papë takohet me botën e autizmit në nivel ndërkombëtar.