2014-10-24 14:08:42

Imzot Auza: ‘jo’ presioneve ideologjike në luftën kundër varfërisë


Lufta kundër varfërisë duhet bazuar në politika, që i përfshijnë vendet e interesuara e jo në zgjidhje të gatshme, të imponuara nga jashtë, që zbatohen për çdo situatë e madje ushtrojnë edhe presione ideologjike. Denoncimi është i vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, imzot Bernardito Auza, i cili foli para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Duhet të ngremë pikëpyetje për modelet ekonomike, që e rrisin pabarazinë dhe përjashtimin e njerëzve nga shoqëria, nënvizoi ai, duke theksuar se në botë, po thellohet vazhdimisht dallimi ndërmjet të pasurve, gjithnjë e më të pasur, dhe të varfërve, pa punë e pa perspektivë. Imzot Auza denoncoi edhe përjashtimin e grave nga procesi i zhvillimit. Ato dhe fëmijët përbëjnë shumicën e të varfërve dhe të njerëzve, që pësojnë dhunë në botë.
Varfëria, vijoi vëzhguesi i Vatikanit, nuk duhet kuptuar thjesht si varfëri ekonomike. Realiteti është më i ndërlikuar e nuk mjafton të përpiqemi vetëm për të rritur sasinë e parave, që i duhen një njeriu për të jetuar çdo ditë. Zhvillimi përmban edhe ato elemente, që nuk preken me dorë, por kontribuojnë në përparimin e vërtetë njerëzor. Imzot Auza kërkoi që secili të japë kontributin e vet për këtë e secili të këtë mundësinë të përfitojë prej zhvillimit të vërtetë të njeriut, në tërësinë e tij. Ky është solidariteti.








All the contents on this site are copyrighted ©.