2014-10-25 18:09:49

Duke kujtuar Sinodin/ Atë Lombardi: Papa Françesku gjithnjë i qetë, meritë e tij transparenca dhe liria


Kurrë si kësaj here, Sinodi i Ipeshkvijve s'tërhoqi vëmendjen e botës. Duhet thënë se meritë të madhe për lirinë dhe transparencën me të cilën u diskutuan dhe u njoftuan temat e ndryshme të nxehta për familjen, ka vetë Papa Françesku, siç shpjegon drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Papa, në këtë Sinod, ndoqi një vijë shumë të saktë, të cilën e kishte parashikuar që më parë: atë të ndërhyrjes me homelinë në Meshën e hapjes e pastaj në Mbledhjen e parë. Më tej, vetëm dëgjoi gjatë gjithë kohës, pa ndërhyrë personalisht, pikërisht për t’i lënë hapësirë lirisë së shprehjes, të cilën, i ftoi të gjithë ta ushtrojnë me shumë guxim, duke folur qartë, lirisht, pa u shqetësuar aspak për ç’mund të dëgjonte apo mendonte ai vetë. Kjo u vlerësua shumë dhe u pasqyrua më pas në diskutimet e Sinodit. Papa Françesku ndërhyri së fundi, me fjalimin e së shtunës mbrëma, në të cilin përmblodhi përvojën shpirtërore të Sinodit me një autoritet të jashtëzakonshëm. Besoj se pa këtë fjalim përfundimtar të Papës, të shtunën mbrëma, dhe pa homelinë gjatë meshës së lumnimit të Palit VI, Sinodi do të kishte mbetur si i papërfunduar e i painterpretuar në frymën e fesë, e cila e frymëzoi dhe e motivoi Papën vetë. Të gjithë ata që patën kontakte me Atin e Shenjtë panë se qëndroi krejt i qetë, edhe në çastet kur pati tension, apo diskutime të brendshme. Nuk u shqetësua asnjëherë: pati gjithnjë besim në udhëheqjen e Shpirtit Shenjt e në aftësinë e Kishës e të Sinodit për të kërkuar të mirën e Kishës, e cila do të gjente pa tjetër perspektivën e drejtë e jo një perspektivë thjesht njerëzore, ose duke u nisur nga tensionet e brendshme. Papa ishte i sigurtë se Sinodi do të ndihmohej nga Zoti për të ndjekur natyrën e vet shpirtërore. Vetë Ati i Shenjtë, me autoritet, mori përsipër përgjegjësinë e vet në krye të udhës së Kishës, sipas vullnetit të Zotit. Tema e shoshitjes shpirtërore, të cilën Papa e preku në fjalën e tij të fundit, është jashtëzakonisht e rëndësishme për vazhdimin e procesit të Sinodit. Ky është çelësi për interpretimin e krejt Sinodit dhe Papa, që është njeri i fesë, e përjeton në këtë perspektivë. Prandaj, mund të kemi besim se Sinodi, në fund të rrugës së tij, do të arrijë në një rezultat pozitiv për Kishën.
Sipas jush, si u ndoq Sinodi nga jashtë, në nivelin botëror?
Siç e mendoj unë, problemi është gjithnjë ai i thellësisë me të cilën kuptohet ç’po ndodh e cila është udha e Kishës. Ai që mungon në përgjithësi, ose është e pamjaftueshëm është niveli i kuptimit nga pikpamja e fesë, që për Kishën është thelbësor. Fjalimi përfundimtar i Papës na ndihmoi të gjithë të hyjmë në këtë nivel. Nuk është fjala të vlerësohet Sinodi nga pikpamja e fraksioneve, nga pikpamja e qeverisjes së Kishës nga ana e Papës, ose si problem me karakter strategjik njerëzor, por duhet të kuptohet se Ati i Shenjtë deshi që Kisha të vihet për udhë e vërtet, Kisha është në rrugën e kërkimit të vullnetit të Zotit, në dritën e Ungjillit e të fesë, për të gjetur përgjigje për çështjet më të rëndësishme të familjes e, në një farë kuptimi, edhe të antropologjisë, të gjendjes së burrit e të gruas në botën e sotme. U vu për udhë me liri e me aftësi për dialog, por edhe me besim të madh e pa frikë. Shtegtari ecën duke kërkuar vullnetin e Hyjit pa ditur ku shkon – si Abrahami që ecën i udhëhequr nga Zoti – por e di se Zoti e shoqëron, prandaj ka besim. E di se do të shkojë në rrugën e drejtë nëse ndjek udhëzimet e Zotit, duke kërkuar bashkërisht vullnetin e Tij, në dritën e Ungjillit. Ky këndvështrim mungon jashtë Kishës, por është shumë i rëndësishëm për të. Falë faktit që të gjithë kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore morën pjesë në Sinodin e jashtëzakonshëm dhe u përfshinë shpirtërisht në këtë përvojë kaq intensive, ka mundësi që reflektimi në çdo vend të jetë i thellë dhe i frytshëm për të arritur në Sinodin e zakonshëm të vitit të ardhshëm, ashtu siç dëshiron Papa, me një mendim të përbashkët të gjerë e të thellë.








All the contents on this site are copyrighted ©.