2014-10-25 18:07:00

Devocioni i vërtetë ndaj Marisë


Në muajin e Rruzares, shfletojmë veprën “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. RealAudioMP3 Pasi shpjegoi si nuk duhet nderuar Zoja, shenjti shkruan se devocioni i vërtetë për Nënën e Krishtit është: 1. shpirtëror, 2. i butë, 3. i shenjtë, 4. i paluhatshëm, 5. i pa interes. Në emisionin e djeshëm, që mund ta gjeni në faqen tonë të internetit “radiovaticana.va”, folëm për dy karakteristikat e para të devocionit për Zojën. Sot, e treta dhe e katërta.

108. Në radhë të tretë, devocioni ndaj Zojës së Bekuar është i shenjtë, domethënë e ndihmon shpirtin ta shmangë mëkatin e t’i ngjajë Zojës së bekuar në virtyte, posaçërisht, në përvujtërinë e saj të thellë, në fenë e saj të gjallë, në nënshtrimin e përkryer, në uratën e vazhdueshme, në pendesën universale, në dlirësinë hyjnore, në dashurinë e flaktë, durimin heroik, ëmbësinë engjëllore, urtinë hyjnore. Këto janë dhjetë virtytet kryesore të Zojës së Bekuar.

109. Në radhë të katërt, devocioni i vërtetë ndaj Virgjërës së shenjtë, është i përhershëm, e forcon shpirtin në vepra të mira, e ndihmon të mos i braktisë lehtësisht praktikat e veta të devocionit; e mbush me guxim për t’iu kundërvënë botës, me modat e parimet e saj: mishit e gjakut, me trazirat e tyre e pasionet e tyre; djallit, me tundimet e tij: kësisoj, i devoçmi i vërtetë i Virgjërës së shenjtë nuk është i lëkundshëm, i trishtuar, skrupuloz ose i druajtur, ndonëse edhe mund të rrëzohet ose të luhatet ndonjë herë në devocionin e vet; por nëse bie, çohet rishtas duke ia shtrirë dorën nënës së tij të mirë; nëse e humbet shijen ose devocionin e ndjeshëm, nuk mëizitet, sepse i devotshmi i drejtë e besnik ndaj Marisë jeton në fenë e Jezusit e të Zojës, e jo në ndjesitë natyrore.







All the contents on this site are copyrighted ©.